Kosova është mbuluar nga flamujt e UÇK-së, fotografitë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe thirrjet për lirimin e tyre, ndërsa kanë mbetur më pak se 24 orë nga një prej vendimeve më të rëndësishme të Gjykatës Speciale në Hagë. “Çlirimtarë, sillni në shtëpi”, “Liria ka emër” dhe “Heronj të luftës dhe paqes” janë disa prej mbishkrimeve që kanë mbushur rrugët dhe sheshet. Në Prishtinë dhe qytete të tjera janë vendosur edhe ekrane me numërimin mbrapsht të orëve deri në momentin kur katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dëgjojnë vendimin e gjykatës. Në të gjitha xhamitë e vendit është vendosur flamuri i UÇK-së ndërkohë që qytetet janë stolisur me flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës. Në Prishtinë shihen makina me flamuj të UÇK-së dhe portretet e Thaçit e Veselit, ndërsa në ndërtesën e Radio Kosovës është vendosur mbishkrimi i madh “Liria ka emër”. LEXO EDHE:Rama uron Kurtin për mandatin e ri qeverisës: Të vazhdojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat për të përshpejtuar rrugëtimin drejt BE-së Autoritetet lokale kanë njoftuar se aty do të vendoset një ekran i madh, ku qytetarët do të mund të ndjekin së bashku shpalljen e vendimit. Kur shpallet vendimi? Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të shpallet të mërkurën, më 16 shtator, në orën 10:00 në Hagë. Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet në shqip, anglisht dhe serbisht, me një vonesë prej 10 minutash. I pari që do ta dëgjojë aktgjykimin do të jetë Hashim Thaçi. Pas tij do të jetë Kadri Veseli, më pas Rexhep Selimi dhe në fund Jakup Krasniqi. Për secilin prej tyre do të shqyrtohen një nga një dhjetë pikat e aktakuzës. Aktakuza përmban gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte. Për çfarë akuzohen ish krerët e UÇK-së? Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Ata akuzohen në gjashtë pika për krime kundër njerëzimit – përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë – dhe në katër pika për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm. Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999 në disa zona të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në veri të Shqipërisë. Prokuroria pretendon se viktimat ishin qindra civilë dhe persona që nuk merrnin pjesë në luftime dhe që dyshoheshin se kundërshtonin UÇK-në. Në përfundim të procesit, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit me nga 45 vjet burg secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar pafajësi. Një nga çështjet kryesore të përplasjes mes Prokurorisë dhe mbrojtjes ka qenë mënyra se si funksiononte UÇK-ja gjatë luftës. Prokuroria argumenton se ajo kishte strukturë dhe zinxhir komandimi dhe i konsideron katër të akuzuarit pjesë të një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Mbrojtja e ka kundërshtuar këtë version, duke argumentuar se UÇK-ja ishte një ushtri guerile dhe vullnetare, pa strukturën vertikale të komandimit që pretendon Prokuroria. Gjatë luftës, Thaçi ishte drejtues politik i UÇK-së, Veseli drejtonte shërbimin e inteligjencës, Krasniqi ishte zëdhënës, ndërsa Selimi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023 dhe faza e provave u mbyll në dhjetor 2025. Sipas Dhomave të Specializuara, në sallën e gjyqit dëshmuan 134 dëshmitarë: 125 të thirrur nga Prokuroria, dy nga përfaqësuesi i viktimave dhe shtatë nga mbrojtja. Në proces marrin pjesë 156 viktima. Në mesin e figurave të njohura ndërkombëtare që dëshmuan për mbrojtjen e Thaçit ishin ish-komandanti suprem i NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan në pension Ëesley Clark, dhe ish-zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin. NATO garanton sigurinë 'pavarësisht se çfarë mund të ndodhë' Pritja e vendimit ka sjellë prej ditësh mobilizim në Kosovë. Më 12 shtator, vetëm katër ditë para aktgjykimit, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në “Marshin për Liri”, të organizuar nga platforma “Liria ka emër”, duke kërkuar shpalljen të pafajshëm dhe kthimin në Kosovë të katër ish-krerëve të UÇK-së. Ndërkohë, vëmendja është përqendruar edhe te siguria pas shpalljes së vendimit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi një ditë para aktgjykimit se KFOR-i ndodhet në Kosovë dhe se angazhimi i NATO-s për ruajtjen e paqes dhe sigurisë do të mbetet i pandryshuar “pavarësisht çfarë mund të ndodhë këtë javë”. Vendimi i së mërkurës do të jetë aktgjykimi i shkallës së parë në procesin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Pas më shumë se pesë vitesh në paraburgim dhe mbi tre vitesh proces gjyqësor, katër ish-krerët e UÇK-së do të mësojnë nëse shpallen fajtorë apo të pafajshëm për secilën nga dhjetë pikat e aktakuzës. U.D/Shqiptarja.com TAG: kosove hagë prishtine hashim thaci kadri veseli Jakup Krasniqi Rexhep Tajip Erdogan Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
15 Shtator, 12:58
Gjykata e Lartë la në burg Erion Veliajn, si e vlerësoni? Të drejtë 27.3% Të gabuar 66.3% Nuk e di 6.3% Vota total: 523 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Shtator, 12:58 Gjykata e Lartë la në burg Erion Veliajn, si e vlerësoni?

