Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka dalë në konferencë të jashtëzakonshme për media pas ofertës që i bëri kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, duke thënë që nuk e pranon ofertën e tij. “Sot në orët e fundit, nuk mund të imponosh marrëveshje. Nuk janë çështje të ndërlidhura. Ne po kërkojmë me e bë ligjin. Në çdo orë, në çdo kohë që kalon, pastaj në të vërtetë, gati thuajse e pamundëson aprovimin e ligjit në dy leximet”, ka thënë Hamza.
Për Bekim Sejdiun, Hamza tha se nuk është marrëveshje me PDK-në.
“Marrëveshja për z. Sejdiun. Nuk është marrëveshje me PDK-në është marrëveshje me një subjekt tjetër politik. I patë lajmet që veç është hajt të flasim. Të shesim mjegull. Është marrëveshje me LDK-në. As nuk kam vërejtje personale as politike në raport me z. Sejdiun. Por është marrëveshje jashtë tavolinës së PDK-së”, deklaroi kryetari i PDK-së.
Vendi tashmë është drejt zgjedhjeve kur kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundim të mandatit. Për këtë Hamza ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje.
“Edhe kësaj radhe, vendi shkon në zgjedhje si projekt i Lëvizjes Vetëvendosje. Sepse Lëvizja Vetëvendosje i do të gjitha për vete. Edhe ato që s’i takojnë”, shtoi ai. Top Channel

