Kosi grek është më i popullarizuar se kurrë. Vetëm shitjet në Waitrose u rritën me 57 për qind vitin e kaluar dhe frigoriferët britanikë janë të mbushur me kupa të mëdha me kos të plotë yndyre dhe kremoz. James Cowie, përgjegjës për blerjet e kosit në supermarket, ia atribuon kërkesës së qëndrueshme dhe në rritje” faktit që konsumatorët po kërkojnë ushqime të papërpunuara dhe të pasura me proteina.Lexo edhe:Suplementet që mbrojnë dhe dëmtojnë trurin, cilat ia vlen të merrni dhe cilat duhen shmangur Në vend që të jetë thjesht një modë kalimtare shëndetësore, kosi grek është i popullarizuar për arsye të mira, sipas nutricionistes Kristen Stavridis. “Jam një adhuruese e madhe e tij dhe e konsumoj rregullisht edhe vetë”, thotë ajo. “Proteina mbështet muskujt tanë dhe gjithashtu përmban baktere të gjalla që mund të ndihmojnë në përmirësimin e mikrobiomës së zorrëve.” Përfitimet nuk mbarojnë këtu. Kosi grek është lidhur me një shëndet më të mirë të zemrës, kockave dhe trurit; mund të ndihmojë në humbjen e peshës; dhe shkencëtarët besojnë se mund t’i ndihmojë njerëzit të jetojnë më gjatë. Ja gjashtë arsye pse duhet ta konsumoni çdo ditë. 1. Është i pasur me proteina për muskuj të shëndetshëm Si rezultat i mënyrës se si prodhohet, kosi grek përmban deri në 10 g proteina për 100 g, afërsisht dyfishi i sasisë që gjendet në kosin me pak yndyrë dhe në koset e stilit grek (të cilat lejohen të përmbajnë aditivë që kosi grek nuk lejohet t’i përmbajë). Ai kullohet për të hequr lëngun, gjë që, përveçse krijon një strukturë të trashë dhe kadifeje, përqendron lëndët e ngurta të kosit të pasura me proteina. “Kjo ka treguar se konsumimi i një diete më të pasur me proteina jo vetëm që ndihmon në ndërtimin e muskujve, por edhe në ruajtjen e tyre, gjë që është veçanërisht e rëndësishme me kalimin e moshës”, thotë Stavridis. Proteinat mbështesin muskujt sepse, ndërsa trupi ynë i tret, ato shpërbëhen në aminoacide, të cilat përdoren për të ndërtuar dhe riparuar indet e trupit. “Kosi grek është një burim i plotë proteinash, që do të thotë se përmban të nëntë aminoacidet thelbësore [të cilat trupi ynë nuk mund t’i prodhojë vetë]”, shpjegon ajo. “Proteina është gjithashtu një lëndë ushqyese e domosdoshme për rinovimin e qelizave të lëkurës, si dhe për rritjen dhe riparimin e të gjitha qelizave të trupit”, shton ajo. 2. Përmirëson shëndetin e zorrëve “Kosi grek përmban kultura të gjalla ose aktive, të cilat mund të ndihmojnë në mbështetjen e një mikrobiome të shëndetshme të zorrëve”, thotë Stavridis. Mikrobioma e zorrëve i referohet triliona baktereve, viruseve dhe kërpudhave që jetojnë në sistemin tonë tretës. Ashtu si shenjat e gishtërinjve, ajo është unike për çdo person dhe një larmi më e madhe e këtyre mikroorganizmave është lidhur me një shëndet më të mirë në përgjithësi. “Probiotikët natyralë në kosin grek kontribuojnë në një larmi më të madhe të baktereve të dobishme në zorrë, gjë që, nga ana tjetër, mbështet një tretje më të mirë dhe mund të forcojë sistemin tonë imunitar”, shpjegon Stavridis. Konsumimi i dy ose më shumë porcioneve në javë është lidhur me një rrezik më të ulët të kancerit të zorrëve. Shkencëtarët besojnë se kjo mund të ndodhë sepse probiotikët që përmban nxisin praninë e një shumëllojshmërie më të madhe mikroorganizmash të dobishëm në zorrët tona, gjë që sjell si pasojë më pak inflamacion dhe më pak substanca kimike që shkaktojnë kancer. “Ne e dimë nga kërkimet se një larmi më e ulët e baktereve të dobishme në zorrë mund të rrisë potencialisht rrezikun e kancerit të zorrëve”, shton Stavridis. 3. Përmban minerale që mbrojnë shëndetin e zemrës “Kosi grek përmban sasi të vogla kaliumi dhe magnezi, të cilat mund të ndihmojnë në mbështetjen dhe rregullimin e presionit të gjakut”, vëren Stavridis. Hulumtimet tregojnë se probiotikët në kos mund të ulin nivelet e larta të kolesterolit, gjë që mund të jetë e dobishme për shëndetin e zemrës, vëren ajo. Një studim tjetër zbuloi se konsumimi i dy ose më shumë porcioneve kos në javë lidhej me një ulje prej një të pestës të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, krahasuar me personat që e konsumonin në mënyrë të parregullt. Kosi grek me pak yndyrë mund të jetë plotësisht pa yndyra të ngopura, lloji i yndyrës që na këshillohet të kufizojmë, të cilat rrisin kolesterolin dhe shtojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës. “Unë rekomandoj zgjedhjen e një varianti me pak yndyrë të kosit grek, thjesht për të qenë më të sigurt, veçanërisht nëse keni histori të sëmundjeve kardiovaskulare në familje ose keni kolesterol të lartë”, shton Stavridis. 4. Është ngopës dhe me pak kalori, duke ndihmuar në humbjen e peshës “Duke qenë se kosi grek është i pasur me proteina, ai mund t’ju mbajë të ngopur për më gjatë, të zvogëlojë sasinë e ushqimit që konsumoni mes vakteve dhe të ulë oreksin duke e bërë përfundimisht më të lehtë menaxhimin e peshës”, thotë Stavridis. Ai është gjithashtu i ulët në kalori. Një porcion prej 100 g kos grek pa yndyrë përmban rreth 50 kalori, ndërsa një variant me 10 për qind yndyrë përmban afërsisht 130 kalori. “Kjo është më pak kalori krahasuar me shumë ushqime të tjera që konsumohen si mesvakt ose në mëngjes”, thotë Stavridis. Për krahasim, 100 g drithëra Crunchy Nut përmbajnë 400 kalori, ndërsa dy biskota me çokollatë Digestive përmbajnë 160 kalori. “Kaloritë e pakta që përmban kosi grek me pak yndyrë e bëjnë atë një zgjedhje të shkëlqyer për ata që duan të humbin peshë”, shton ajo. 5. Është burim kalciumi për të mbajtur kockat të forta “Kalciumi që gjendet në kosin grek është i dobishëm për shëndetin e kockave, pasi mund të kontribuojë në rritjen e densitetit të kockave (kocka më të forta) dhe në rindërtimin e indit kockor ndërsa plakemi ose nëse kemi pësuar një dëmtim”, thotë Stavridis. Një tas me 200 g kos grek përmban rreth 240 mg kalcium, duke siguruar pak më shumë se një të tretën e 700 mg kalciumit që të rriturit kanë nevojë çdo ditë për kocka dhe dhëmbë të shëndetshëm. “Veçanërisht për gratë, të cilat humbasin dendësinë minerale të kockave gjatë menopauzës, kalciumi është veçanërisht i rëndësishëm dhe marrja e mjaftueshme e tij mund të ulë rrezikun e frakturave”, thotë ajo. Një studim e lidhi konsumin më të madh të kosit me densitet më të lartë të kockave, duke sugjeruar se ai mund të mbrojë nga frakturat. “Prandaj, konsumimi i kosit grek dhe ushqimeve të tjera të pasura me kalcium mund të jetë i dobishëm”, shton Stavridis. 6. Është plot me probiotikë dhe vitamina që përmirësojnë shëndetin e trurit Probiotikët në kosin grek mund të përmirësojnë edhe shëndetin e trurit. “Ata mbështesin boshtin zorrë-tru [komunikimin dypalësh midis këtyre organeve], duke përmirësuar funksionin njohës dhe duke ngadalësuar rënien e aftësive njohëse me kalimin e moshës”, thotë Stavridis. Kosi grek përmban gjithashtu vitamina të grupit B – tiaminë (B1), riboflavinë (B2) dhe kobalaminë (B12) të cilat i sjellin përfitime trurit. “Tiamina luan një rol kyç në funksionimin normal të trurit dhe mund të ndihmojë në parandalimin e çrregullimeve të trurit”, vëren Stavridis. “Riboflavina mund të përmirësojë funksionin njohës dhe ka përfitime neuroprotektive, marrja e mjaftueshme e saj mund të zvogëlojë rrezikun e demencës më vonë gjatë jetës". “Vitamina B12 ka shumë role në trup, por sa i përket shëndetit të trurit, ajo mund të ndihmojë në mbështetjen e kujtesës, të na ndihmojë me të menduarit kritik dhe të mbështesë aftësitë tona për zgjidhjen e problemeve.” Së fundi, duke qenë se truri përbëhet rreth 60 për qind nga yndyra, yndyra që gjendet në kosin grek mund të ndihmojë në funksionimin e trurit, vëren ajo. “Megjithatë, një sasi e tepërt e yndyrave të ngopura mund të ketë efektin e kundërt, ndaj është e rëndësishme të siguroheni se nuk po konsumoni shumë yndyrë shtazore”, shton Stavridis. Tre ide të shëndetshme me kos për t’i provuar Salca tzatziki, tasat e mëngjesit dhe smoothiet janë të gjitha mënyra të shëndetshme për të përdorur kosin grek. “Unë e konsumoj kosin grek disa herë në javë”, thotë Stavridis. “Ose shtoj disa lugë në një smoothie për ta bërë më kremoz, më ngopës dhe për të rritur sasinë e proteinave; ose përgatis një tas me kos në mbrëmje, me mjaltë manuka, arra dhe fara për fibra shtesë.” 1. Në një tas për mëngjes Zgjidhni kosin grek që preferoni dhe shtoni fruta, si manaferra, granola dhe fara, për të rritur sasinë e fibrave dhe, nëse dëshironi, shtoni pak mjaltë për një shije më të ëmbël, thotë Stavridis. “Kjo e bën një vakt ngopës, me fibra shtesë dhe lëndë ushqyese të nevojshme për t’ju përgatitur për ditën.” 2. Një smoothie si mesvakt Përzieni dy lugë gjelle kos grek me disa manaferra të ngrira të përziera, një grusht të madh spinaqi, një masë pluhur proteine me vanilje dhe një lugë çaji fara chia, akull dhe ujë. "Ai do të sigurojë fibra dhe proteina për t’ju dhënë energji", vëren ajo. 3. Si bazë për tzatziki “Kjo është mënyra ime e preferuar për të ngrënë kos grek”, thotë Stavridis. “Shtoni disa lugë në pak kastravec të grirë, pak lëng limoni, një thelb hudhre të shtypur, erëza të grira dhe kripë, më pas përziejini mirë”, thotë ajo. Tre lloje kosi grek të shëndetshëm për t’i provuar Koset greke të Waitrose, Fage dhe Marks & Spencer janë të shijshme dhe përmbajnë shumë vlera ushqyese. 1. Fage Total 0% Fat Free Natural Greek Yogurt Ky kos ka përmbajtjen më të lartë të proteinave (10,3 g për 100 g) dhe numrin më të ulët të kalorive (54 për 100 g), krahasuar me një duzinë kosh të njohur grekë të shitur në supermarketet britanike. "Ai gjithashtu ka një nga përmbajtjet më të ulëta të sheqerit (3 g për 100 g), nuk përmban yndyrë dhe ka shumë kultura të gjalla", shton Stavridis. “Megjithatë, një pikë që duhet pasur parasysh është se, për shkak se nuk ka yndyrë dhe ka më pak kalori, mund të përfni duke ngrënë më shumë prej tij për të arritur të njëjtën ndjesi ngopjeje.” Ai është gjithashtu një alternativë më e shtrenjtë. 2. Marks & Spencer Authentic Greek Yogurt 0% Fat “Për nga vlerat ushqyese, ai është pothuajse identik me kosin Fage; megjithatë, është dukshëm më i lirë”, vëren Stavridis. “Ka më pak lloje kulturash të gjalla të paraqitura në etiketë, ndaj potencialisht mund të ketë më pak përfitime në drejtim të mbështetjes së mikrobiomës së zorrëve. Megjithatë, është ende një zgjedhje e mirë, veçanërisht nëse dëshironi të shpenzoni pak më pak.” 3. Waitrose No 1 Strained Natural Greek Yogurt “Në krahasim me koset e tjera greke me yndyrë të plotë në treg, ky ka pak më pak kalori (131 për 100 g), më pak yndyrë të ngopur (6,7 g për 100 g) dhe më pak sheqer (2,9 g për 100 g)”, thotë Stavridis. “Gjithashtu, ka një raport të mirë çmim-vlerë. “Megjithatë, përmbajtja e proteinave është më e ulët (5,9 g për 100 g).”/TheTelegraph

