Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në BE, duke theksuar se javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Budva të Malit të Zi, Kos nënvizoi se secili prej vendeve të rajonit përballet me sfida dhe objektiva të rëndësishme në rrugën drejt integrimit evropian. Sipas saj, Mali i Zi është vendi që ka shënuar përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit në BE, ndërsa faza e ardhshme do të jetë vendimtare për përmbylljen e negociatave dhe avancimin drejt anëtarësimit. “Javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për të gjithë ne. Për Malin e Zi, momenti vendimtar do të jetë kalimi i vijës së finishit në procesin e anëtarësimit”, deklaroi Kos. Sa i përket Shqipërisë, Kos bëri thirrje për ruajtjen e ritmit të reformave dhe vijimin e progresit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Ky është vendi që kam vizituar më shumë se çdo vend tjetër gjatë këtij viti, gjë që është e natyrshme, pasi Mali i Zi është vendi që po përparon më shumë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Jam gjithmonë i lumtur të rikthehem për të parë nga afër se si po ecën përpara një vend që është i vendosur të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për të gjithë ne. Për Malin e Zi, momenti vendimtar do të jetë kalimi i vijës së finishit në procesin e anëtarësimit. Për Serbinë, zgjedhjet e së dielës së ardhshme. Për Shqipërinë, ruajtja e ritmit në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Dhe, sigurisht, për Kosovën, zgjedhja vendimtare është të vazhdojë të ecë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe shtetin e së drejtës. Pikërisht për këtë arsye, mendoj se është shumë pozitive që udhëheqësit e rajonit dhe të gjithë Procesit të Berlinit janë mbledhur sot në këtë vend të bukur, Malin e Zi”, tha Kos.
