Shqetësuese paraqitet situata në rrugët e vendit. Vetëm gjatë korrikut u regjistruan 165 aksidente, ndërsa në shtatë muaj numri i tyre ka kaluar në 800, duke shënuar një rritje prej 10% krahasuar me një vit më parë.
Aksidentet rrugore vijojnë të mbeten një problem serioz për sigurinë në rrugët shqiptare. Të dhënat paraprake të INSTAT për korrikun 2026 tregojnë një tjetër bilanc negativ, me qindra persona të prekur nga aksidentet brenda vetëm një muaji.
Gjatë korrikut janë regjistruar 165 aksidente rrugore, ndërsa numri i personave të vrarë dhe të plagosur si pasojë e tyre ka arritur në 235.
Situata bëhet edhe më shqetësuese nëse merret në konsideratë periudha janar–korrik. Në shtatë muajt e parë të vitit janë regjistruar 844 aksidente, kundrejt 767 të njëjtës periudhë të vitit 2025. Kjo përkthehet në një rritje prej 10% të numrit të aksidenteve brenda një viti.
Shpejtësia dhe shkeljet në timon, faktorët kryesorë
Pas pjesës dërrmuese të aksidenteve qëndron faktori njerëzor. Sipas të dhënave të INSTAT, 90,3% e aksidenteve të muajit korrik kanë ardhur si pasojë e moszbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor.
Shpejtësia, mosrespektimi i sinjalistikës dhe manovrat e gabuara gjatë drejtimit të automjetit janë ndër shkaqet kryesore që lidhen me këto ngjarje.
Më të ekspozuarit rezultojnë drejtuesit e mjeteve të grupmoshës 25–34 vjeç, të cilët përbëjnë 21,8% të totalit të aksidenteve të regjistruara.
Edhe orari duket se luan një rol në frekuencën e aksidenteve. 25,5% e tyre ndodhin në intervalin 19:00–24:00, duke e bërë këtë hark kohor atë me përqendrimin më të madh të ngjarjeve.
Sa i përket ditëve të javës, e enjtja regjistron përqindjen më të lartë të aksidenteve, me 18,8%, ndërsa e marta ka nivelin më të ulët, me 12,1%.
Tirana kryeson, rritje e fortë edhe në Fier
Tirana mbetet qarku me numrin më të lartë të aksidenteve. Vetëm gjatë korrikut në kryeqytet janë regjistruar 59 aksidente, nga 37 që ishin shënuar në korrik 2025.
Nga këto aksidente, 74 persona kanë mbetur të vrarë ose të plagosur.
Një rritje e ndjeshme është regjistruar edhe në Fier, ku numri i aksidenteve është më shumë se dyfishuar në harkun e një viti. Nga 8 aksidente të regjistruara në korrik 2025, shifra ka shkuar në 20 aksidente në korrikun e këtij viti.
Ndërkohë, në Durrës gjatë muajit korrik janë regjistruar 15 aksidente.
Në total, gjatë shtatë muajve të parë të vitit, 1.187 persona kanë mbetur të vrarë ose të plagosur në aksidentet rrugore në të gjithë vendin.
Shifrat e reja e vendosin edhe një herë në fokus sigurinë rrugore dhe nevojën për forcimin e masave parandaluese, veçanërisht në zonat dhe oraret ku përqendrimi i aksidenteve është më i lartë.

