Koreja e Veriut ka kryer të mërkurën një provë të sistemit të saj të ri të mbrojtjes ajrore, duke lëshuar raketa interceptuese, ndërsa paralelisht zhvilloi një stërvitje për goditjen e një objektivi të simuluar me raketë lundruese me rreze të gjatë veprimi. Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, sipas së cilës testimi konfirmoi specifikimet teknike dhe besueshmërinë e sistemit të ri. Prova synonte të verifikonte aftësinë e raketave për të ndryshuar drejtimin gjatë fluturimit, si dhe kapacitetet e sistemit për zbulimin dhe goditjen e objektivave. Në të njëjtën kohë, një njësi e Komandës së Raketave Strategjike me Rreze të Gjatë Veprimi zhvilloi një stërvitje të veçantë, duke simuluar sulmin ndaj një objektivi virtual. Raportimi i KCNA-së konfirmon njoftimin e mëparshëm të Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut, e cila bëri të ditur se Koreja e Veriut kishte lëshuar raketa nga rajoni i Sondokut në drejtim të Detit Lindor, i njohur ndërkombëtarisht edhe si Deti i Japonisë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

