Lajme Zone
Koreja e Jugut “shkrihet” nga vapa/ Regjistrohet temperatura më e lartë në histori që nga viti 1904, autoritetet paralajmërojnë qytetarët
BotëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Koreja e Jugut “shkrihet” nga vapa/ Regjistrohet temperatura më e lartë në histori që nga viti 1904, autoritetet paralajmërojnë qytetarët

Koreja e Jugut ka regjistruar temperaturën më të lartë që nga fillimi i matjeve meteorologjike në vitin 1904, ndërsa vendi po përballet me një valë të fortë të të nxehtit.

Koreja e Jugut ka regjistruar temperaturën më të lartë që nga fillimi i matjeve meteorologjike në vitin 1904, ndërsa vendi po përballet me një valë të fortë të të nxehtit. Sipas Administratës Meteorologjike të Koresë (KMA), temperatura në qytetin juglindor të Yangsan arriti në 42.5 gradë Celsius të dielën pasdite, duke vendosur një rekord historik.

Yangsan ndodhet në epiqendrën e valës së të nxehtit, ku temperaturat kanë kaluar 40°C për të pestën ditë radhazi. Edhe qytete të tjera, si Daegu, Busan dhe Gyeongju, kanë shënuar temperatura jashtëzakonisht të larta. Në Gyeongju termometri arriti në 40.3°C, niveli më i lartë i regjistruar në tetë vitet e fundit.

Për t’i shpëtuar vapës përvëluese, shumë qytetarë janë drejtuar drejt qendrave tregtare, kafeneve dhe ambienteve me ajër të kondicionuar, ndërsa të tjerë kanë kërkuar freski në zonat e spërkatjes së ujit të ngritura në Seul.

“Është shumë vapë për të qenë jashtë dhe për të bërë diçka. Nuk mund të mendoj për asgjë tjetër përveçse të qëndroj në vende me ajër të kondicionuar, si shtëpia, qendrat tregtare apo kafenetë”, tha një qytetar.

Edhe Koreja e Veriut po përballet me temperatura ekstreme, që në disa zona kanë arritur deri në 40°C. Në Phenian, temperaturat gjatë natës nuk kanë rënë nën 25°C për një javë.

Më shumë se 20 rajone në Korenë e Jugut janë vendosur nën paralajmërim emergjence për valë të nxehti, një kategori e re e prezantuar këtë vit për të përballuar temperaturat në rritje. Paralajmërimi aktivizohet kur parashikohen temperatura prej 38°C ose më shumë.

Shërbimi meteorologjik u ka bërë thirrje qytetarëve të ndërpresin menjëherë të gjitha aktivitetet në natyrë, duke paralajmëruar se qëndrimi në ambiente të mbyllura pa ajër të kondicionuar është i rrezikshëm.

“Zhvendosuni menjëherë në një vend të freskët, si një qendër ftohjeje ose një zonë me hije, dhe konsumoni sa më shumë lëngje”, rekomandoi KMA.

Për shkak të temperaturave ekstreme, kryeministri Han Seong-suk urdhëroi autoritetet lokale të shtojnë kontrollet për grupet më të rrezikuara dhe të garantojnë furnizimin e pandërprerë me energji elektrike dhe ujë.

Sipas parashikimeve, erërat lindore pritet ta shtyjnë të nxehtin edhe më tej në brendësi të vendit. Në Seul temperatura pritet të arrijë në 37°C, ndërsa në provincat Gyeongsang temperaturat mund të kalojnë 39°C, duke krijuar kushte të rrezikshme për jetën.

Autoritetet po monitorojnë gjithashtu lëvizjen e tajfunit Dolphin, i cili po i afrohet brigjeve juglindore të Kinës. Sipas KMA-së, trajektorja e tij do të përcaktojë edhe kohëzgjatjen e valës së të nxehtit. Nëse tajfuni lëviz drejt Kinës lindore, ai mund të rrisë lagështinë dhe ta përkeqësojë vapën në Kore. Nëse afrohet më pranë gadishullit Korean, mund të sjellë erëra të forta, vranësira dhe reshje shiu, duke ulur përkohësisht temperaturat. Top Channel