Një 38-vjeçar nga Berati ka humbur jetën në Spitalin Rajonal, pasi u gjet në gjendje të rënduar shëndetësore në banesën e tij në lagjen “Barrikadë”. Familjarët kanë konstatuar gjendjen e tij dhe kanë njoftuar menjëherë ambulancën, e cila e ka transportuar drejt spitalit.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve dhe përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, 38-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë rreth dy orë pas mbërritjes në spital. Sipas të dhënave të autopsisë mjeko-ligjore, në trupin e tij janë konstatuar substanca helmuese, ndërsa rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten për t’u përcaktuar.
Policia ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në humbjen e jetës së 38-vjeçarit. Nga këqyrjet paraprake të trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave.

