Një qytetar ka kontaktuar redaksinë për të denoncuar mungesën e një përgjigjeje lidhur me konkursin për realizimin e logos së Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale (QKVT).
Sipas denoncuesit, në konkurs kanë marrë pjesë disa grafikë designer, të cilët kanë investuar kohë dhe punë për përgatitjen e materialeve të kërkuara. Pjesëmarrësit kanë dorëzuar propozimet e tyre për logon, së bashku me brandbook-un dhe prezantimet përkatëse.
Por, sipas qytetarit, kanë kaluar rreth katër muaj dhe nuk është dhënë asnjë përgjigje për konkursin. Ai thotë se deri më tani nuk është bërë e ditur asnjë përzgjedhje dhe nuk është shpallur fituesi.
“Kam marrë pjesë në konkurs dhe jam impenjuar për këtë gjë. Kemi harxhuar kohë, kemi përgatitur logon dhe brandbook-un dhe i kemi dërguar prezantimet, por prej katër muajsh nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, shprehet denoncuesi.
Sipas tij, afati fillestar i konkursit ishte 12 prill, ndërsa më pas u shty deri më 30 prill. Megjithatë, edhe pas përfundimit të këtij afati, pjesëmarrësit nuk kanë marrë informacion mbi rezultatet.
Denoncuesi thotë gjithashtu se ka tentuar të kontaktojë organizatorët përmes faqes së tyre në Instagram, por nuk ka marrë përgjigje.
Pjesëmarrësit kërkojnë transparencë lidhur me procesin e konkursit dhe sqarim mbi arsyen përse, pas disa muajsh, nuk është bërë ende e ditur përzgjedhja apo fituesi.
Redaksia mbetet e hapur për një reagim nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale lidhur me këtë denoncim.

