Argumenti kryesor i paraqitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është mosrespektimi i afateve kontraktore për përfundimin dhe vënien në funksion të aeroportit. Megjithatë, dokumentacioni i administrimit të kontratës tregon se një nga faktorët që ndikoi drejtpërdrejt në këtë dështim ishte konflikti i zgjatur mes ortakëve të kompanisë koncesionare.
Kontrata parashikonte që aeroporti të përfnte dhe të bëhej operacional deri më 20 shkurt 2026, me një periudhë shtesë prej 90 ditësh. Edhe pas përfundimit të këtij afati, aeroporti nuk ishte funksional. Punimet kishin mbetur larg përfundimit, ndërsa koncesionari nuk kishte paraqitur një plan të besueshëm për mbylljen e projektit.
Konflikti që paralizoi koncesionarin
Një nga shkaqet kryesore të mosrespektimit të afateve ishte konflikti i brendshëm mes ortakëve të kompanisë koncesionare.
Që nga tetori 2025, dy ortakët kryesorë, “Mabco Constructions” dhe “2A Group”, hynë në një mosmarrëveshje të hapur lidhur me strukturën e pronësisë së kompanisë dhe disa marrëveshje financiare të lidhura pa dakordësinë e plotë të palëve.
Mosmarrëveshja kaloi në disa shkallë të sistemit gjyqësor. Në tetor 2025, Gjykata e Shkallës së Parë pezulloi të drejtën e votës së kompanisë “Mabco”. Në dhjetor 2025, Gjykata e Apelit vendosi që pezullimi të zbatohej vetëm për vendimet që lidhen me shitjen e kuotave.
Po në dhjetor 2025, në një proces tjetër, gjykata vendosi sërish pezullimin e disa të drejtave të “Mabco”, kompani e lidhur me sipërmarrësin kosovar Behxhet Pacolli. Këto masa u rrëzuan më pas nga Gjykata e Lartë në maj 2026.
Konflikti nuk mbeti vetëm në gjykata. Në maj 2026, Policia e Vlorës raportoi për përplasje fizike në hyrje të kantierit ndërmjet përfaqësuesve të palëve dhe shoqërisë private të sigurisë. Policia sqaroi se bëhej fjalë për një konflikt me natyrë civile dhe kontraktore, ndërsa kallëzimet iu referuan Prokurorisë.
Në praktikë, konflikti bllokoi vendimmarrjen brenda koncesionarit. U vonuan vendimet për financimin, pagesat, kontratat dhe organizimin e punimeve, ndërsa aktiviteti në kantier u ngadalësua ndjeshëm dhe, në disa raste, u ndërpre.
Nga një investim strategjik në një projekt të bllokuar
Kur kontrata koncesionare u nënshkrua më 19 prill 2021, projekti u prezantua si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit dhe si porta e dytë ndërkombëtare ajrore e Shqipërisë. Aeroporti pritej të rriste kapacitetet e transportit ajror, të mbështeste zhvillimin e turizmit dhe të krijonte një impuls të ri ekonomik për Vlorën dhe gjithë Jugun.
Sot situata është krejt ndryshe. Punimet kanë mbetur të papërfunduara, aeroporti nuk është operacional dhe vetë inxhinieri i pavarur ka konstatuar se nuk mund të japë një afat të besueshëm për përfundimin e projektit.
Në këto kushte, konflikti mes ortakëve nuk mund të konsiderohet më thjesht një mosmarrëveshje private. Ai ka ndikuar drejtpërdrejt në realizimin e një kontrate me interes publik dhe në përmbushjen e detyrimeve që koncesionari kishte marrë përsipër ndaj shtetit.
Megjithatë, thelbi i çështjes mbetet mosrespektimi i kontratës. Konflikti mes ortakëve nuk përbën në vetvete bazën ligjore për zgjidhjen e saj, por është një nga faktorët që çoi në mosrealizimin e projektit brenda afateve të përcaktuara.
Për shtetin, përgjegjësia nuk është të zgjidhë mosmarrëveshjet e aksionarëve, por të garantojë zbatimin e kontratës dhe mbrojtjen e interesit publik. Kur koncesionari nuk është më në gjendje të përmbushë detyrimet e tij, aktivizimi i mekanizmave kontraktualë bëhet i domosdoshëm për të siguruar përfundimin e një projekti me rëndësi strategjike për vendin. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

