Ron Yeffet-Delvina Gas Në skemë del një kompani e ngritur pikërisht për marrjen, transportimin dhe kompresimin e gazit, në pronësi të ukrainases Nataliya Prykhodko dhe e administruar nga biznesmeni me origjinë ruse dhe shtetësi izraelite Rafael Dushuzsky. Zbulohen të tjera detaje nga aferat dhe bëmat e izraelitit Ron Yeffet. Në përgjimet e publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ai fliste për “Delvina Gas”, por sot del më hapur edhe plani se si izraeliti kërkonte të merrte gazin.
Sot ka dalë në skenë kompania ‘DEL-CNG’, e cila duket se do përdorej nga Yeffet për të shkuar te Delvina Gas.
Vetë kompania pranoi sot se audiomateriali i publikuar është regjistruar në ambientet e saj private. DEL-CNG e cilëson regjistrimin të paautorizuar dhe deklaron se Ron Yeffet nuk është përfaqësues, punonjës, ortak apo administrator i saj. Por reagimi i kompanisë konfirmon një fakt që deri tani mungonte në këtë histori: vendi ku Yeffet zhvillonte bisedën e publikuar ishte pikërisht DEL-CNG. Reagimi i kompanisë Dhe këtu lidhja me Delvinën bëhet edhe më e fortë. DEL-CNG nuk është një kompani me aktivitet të përgjithshëm. Sipas të dhënave të QKB-së të pasqyruara në OpenCorporates Albania, ajo është themeluar më 30 qershor 2023 dhe objekti i saj është ndërtimi i një impianti për kompresimin e gazit. Në dokumentet e kompanisë parashikohet infrastruktura e kantierit, tubacioni nga fusha ose kolektori i gazit deri në impiant, kompresorët, turbozgjeruesit, depot e gazit dhe laboratori për testimin e mostrave të gazit.
Pra, në përgjimet e publikuara Yeffet flet për fushat e “Delvina Gas”, ndërsa takimi zhvillohet në ambientet e një kompanie të krijuar pikërisht për të ndërtuar infrastrukturën që merr gazin nga fusha dhe e çon drejt impiantit për kompresim dhe depozitim. Kjo është hallka që reagimi i DEL-CNG nxjerr sot në dritë.
Vetë përmbajtja e përgjimit tregon edhe mënyrën se si po lëvizte Yeffet. Në audion e publikuar më 14 shtator, ai udhëzon bashkëbiseduesit e tij, të identifikuar në raportimet mediatike si një rus dhe një ukrainas, të shkojnë në Vlorë, te fushat e “Delvina Gas”, dhe të bëjnë verifikimet në terren. Udhëzimi i Yeffet është që ata të paraqiten si përfaqësues të një kompanie amerikane.
Dhe identifikimi i DEL-CNG çon investigimin te dy emra:
E para është Nataliya Prykhodko. Dokumentet shqiptare tregojnë se shtetasja ukrainase është pronare e 100% të DEL-CNG. Ajo rezulton e lindur në Ukrainë në vitin 1965 dhe me banim të deklaruar në Ukrainë. Edhe origjina e kapitalit të DEL-CNG është regjistruar si ukrainase.
Emri i dytë është Rafael Dushuzsky, administratori i DEL-CNG që nga themelimi i saj. Dushuzsky është biznesmen i lindur në Rusi dhe shtetas izraelit, me një histori aktiviteti në sektorin e gazit dhe energjisë në disa vende. Media ekonomike hungareze Világgazdaság e identifikonte në vitin 2022 si të lindur në Rusi dhe shtetas izraelit, në atë kohë aksioner minoritar në Arelgas, një kompani që planifikonte rrjet stacionesh LNG dhe një impiant bio-LNG në Hungari.
Por lidhja e Dushuzsky me gazin në Shqipëri nuk fillon me DEL-CNG. Në dhjetor 2022, rreth shtatë muaj përpara krijimit të DEL-CNG, në Shqipëri ishte themeluar një tjetër kompani: ALB-CNG. Administrator i saj rezulton përsëri Rafael Dushuzsky.
Edhe objekti i ALB-CNG është domethënës për historinë e Delvinës. Kompania është krijuar për ndërtimin e një impianti për kompresimin dhe lëngëzimin e gazit, ndërtimin e një termocentrali, infrastrukturën e kantierit dhe, njësoj si te DEL-CNG, tubacionin nga fusha ose kolektori i gazit deri në impiant. Në objekt përfshihen gjithashtu depot, laboratorët, importi, eksporti, tregtia dhe transporti i gazit natyror dhe hidrokarbureve.
Struktura e pronësisë së ALB-CNG nxjerr një tjetër lidhje të Dushuzsky. 60% e aksioneve zotërohen nga BLANKBANK INVESTMENTS LIMITED, shoqëri e regjistruar në Qipro, e cila në aktin e themelimit të ALB-CNG përfaqësohet nga vetë Rafael Dushuzsky. Arefi Jakupllari zotëron 30%, ndërsa Nexhip Hajdëraj 10%.
Pra, përpara se Dushuzsky të bëhej administrator i DEL-CNG, ai ishte tashmë administrator i një kompanie tjetër shqiptare që kishte në objekt marrjen e gazit nga fusha, transportimin me tubacion, kompresimin, lëngëzimin, depozitimin dhe tregtimin e tij. Pra me pak fjalë terreni ishte gati.
Kështu del edhe mekanizmi që mungonte në pjesën e parë të përgjimeve: Ron Yeffet po përdorte DEL-CNG për të çuar përpara planin për të marrë gazin e Delvinës, ndërsa pas kompanisë që do të shërbente për këtë aktivitet qëndrojnë ukrainasja Nataliya Prykhodko, si pronare e plotë, dhe Rafael Dushuzsky, si administrator. Por padyshim CEO i fshehtë do të ishte Ron Yeffet. /Pamfleti Ky artikull është material ekskluziv i Pamfleti dhe mbrohet nga e drejta e autorit, në përputhje me Ligjin Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Ripublikimi i plotë ose i pjesshëm i këtij shkrimi nga media të tjera lejohet vetëm duke cituar qartësisht Pamfleti si burim dhe duke vendosur në fund të materialit linkun e artikullit origjinal.
Çdo përdorim, kopjim apo ripublikim pa respektuar këto kushte përbën shkelje të së drejtës së autorit dhe mund të sjellë përgjegjësi ligjore sipas legjislacionit në fuqi.delvina gas yeffet Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë “Punë oligarkësh”, apo jo z.zëvendësministër? 15 Shtator 2026, 19:1519:15Dosja e zezë Ron Yeffet, “ustai” i aferave strategjike: Si u fut Sinan Idrizi, “leva” e Ramës, në lojën e Air Albania 14 Shtator 2026, 23:2823:28Dosja e zezë Miku i Ramës në syrin e ciklonit, hapet “Kutia e Pandorës” për ‘jeniçerin’ e 4iG! 12 Shtator 2026, 21:3021:30Dosja e zezë Shqipëria, bazë e rrjeteve mafioze Izrael-Ukrainë: çmimi i karriges së Ramës në tavolinën globale 12 Shtator 2026, 12:3512:35Dosja e zezë Nga Abu Dhabi te njerëzit e Pacollit, skema 142 milionë dollarë e “Smart City” 12 Shtator 2026, 12:0512:05Dosja e zezë Propaganda e shifrave dhe algoritmi i Edi Ramës për nxitjen e urrejtjes 11 Shtator 2026, 11:4611:46Dosja e zezë

