Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se Neymar nuk do të rikthehet më në kombëtare, ndërsa ka bërë të qartë se skuadra do të fokusohet te lojtarët e rinj. Në një intervistë për CNN Esportes, Ancelotti tha se Neymar e ka konfirmuar vetë se nuk dëshiron të rikthehet te përfaqësuesja braziliane.
“Ai e meritonte të ishte aty për cilësitë e tij. Neymar tashmë ka konfirmuar se nuk dëshiron të kthehet në ekipin kombëtar”, u shpreh trajneri italian.
Ancelotti mbrojti edhe vendimin për ta grumbulluar Neymarin në Kupën e Botës së fundit, pavarësisht kritikave për paraqitjen e tij.
“Ai nuk mund të zëvendësohet, sepse ishte një talent i jashtëzakonshëm dhe unik. Prandaj, një lojtar i pazëvendësueshëm”, tha Ancelotti.
Ndërkohë, trajneri ka nisur procesin e rinovimit të Brazilit, duke u dhënë më shumë hapësirë lojtarëve të rinj. Në grumbullimet e fundit janë përfshirë disa emra të rinj, të cilët pritet të kenë një rol më të rëndësishëm në të ardhmen.
“Duhet të ecim hap pas hapi. Për ndeshjen e parë dhe miqësoret që çojnë drejt Kupës së Botës, duhet të përqendrohemi te lojtarët e rinj që mund të jenë pjesë e së ardhmes, ata të lindur në vitet 2004, 2005 dhe 2006”, deklaroi Ancelotti.
Trajneri brazilian theksoi se kombëtarja ka edhe talente edhe më të rinj, përfshirë disa futbollistë të lindur në vitin 2008.
“Kemi disa lojtarë shumë të talentuar të lindur në vitin 2008 që ende nuk po luajnë, por që mund të luajnë”, shtoi ai.
Kështu, Brazili duket se po hyn në një fazë të re, me Ancelottin që kërkon të ndërtojë një skuadër të bazuar te brezi i ri, ndërsa epoka e Neymarit me fanellën e kombëtares duket se ka marrë fund. Top Channel

