Lajme Zone
Klithma e të rinjve evropianë: Nëse na rrëmbeni të ardhmen, ne do t’ju bllokojmë të tashmen!
PolitikëPamfleti

Klithma e të rinjve evropianë: Nëse na rrëmbeni të ardhmen, ne do t’ju bllokojmë të tashmen!

Gjatë dy viteve të fundit, mobilizimi i të rinjve ka ndihmuar në rrëzimin e qeverisë së Bangladeshit, ka detyruar kryeministrin e Nepalit të japë dorëheqjen dhe ka çuar në shpërbërjen e qeverisë së Madagaskarit.

Një protestues u përplas me policinë të shtunën në Paris, gjatë një demonstrate kundër rritjes së kostos së jetesës. / Protesta të mëdha po përhapen në Francë, Itali, Belgjikë, Shqipëri, Portugali dhe Spanjë, të nxitura nga kostot e papërballueshme të banesave, pasiguria ekonomike dhe pakënaqësia me politikën tradicionale... Dhjetëra mijëra të rinj kanë dalë në rrugë në Francë, Belgjikë, Spanjë, Portugali, Itali dhe Shqipëri, duke iu bashkuar asaj që është quajtur revolucioni i Gjeneratës Z, brezit të lindur mes viteve 1997-2012.

Gjatë dy viteve të fundit, mobilizimi i të rinjve ka ndihmuar në rrëzimin e qeverisë së Bangladeshit, ka detyruar kryeministrin e Nepalit të japë dorëheqjen dhe ka çuar në shpërbërjen e qeverisë së Madagaskarit.

Tani në Evropë, në prag të një cikli zgjedhor që do të përcaktojë qeveritë e 4 prej 5 vendeve më të populluara të Bashkimit Evropian - Francës, Italisë, Spanjës dhe Polonisë - po merr formë një pakënaqësi e përbashkët: mundësitë për brezin e ri po pakësohen dhe e ardhmja po bëhet gjithnjë e më e pasigurt.

Franca ka tërhequr vëmendjen më të madhe të mediave. Protestat kanë zgjatur më shumë se një muaj, dhe në një ditë të vetme, kanë mbledhur deri në 266.000 njerëz. Fillimisht, ato u udhëhoqën nga nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa të shtunën e kaluar demonstruesve iu bashkuan edhe Jelekët e Verdhë, lëvizja kundër establishmentit politik e shfaqur në vitin 2018, si dhe sindikatat, fermerët, punonjësit e transportit dhe të administratës publike.

Protestat nisën nga shqetësimet për gjendjen e arsimit publik. Demonstruesit kërkojnë më shumë fonde për mësuesit, klasa më të vogla dhe kushte më të mira në shkolla. Këto kërkesa shtrohen në një kohë kur financat publike të qeverive janë nën një presion të fortë.

Në të gjithë Bashkimin Evropian, borxhi publik arrin në 82.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa në Francë kjo shifër është 117.6 për qind, një nga nivelet më të larta në bllok. Lëvizja franceze ka frymëzuar studentët në Belgjikë dhe Itali.

“Të veprojmë si në Francë!”, brohorasin protestuesit në Evropën Jugore. “Para për shkollat, jo për luftën”, thërrasin demonstruesit në rrugët e Romës, Milanos, Torinos dhe qyteteve të tjera italiane.

Në Belgjikë, pakënaqësia lidhet me shkurtimet e fondeve për arsimin frankofon dhe planin për rritjen e tarifave universitare. Qeveria e Federatës Valoni-Bruksel, ka miratuar shkurtime prej afro 500 milionë eurosh në disa sektorë, përfshirë arsimin.

Lenaïk Dumont, kryetare e Federatës së Studentëve Frankofonë të Belgjikës (FEF), shpjegon se protestat e këtij viti u nxitën nga reformat e dekretit “Paysage”. Ky rregullim u kërkon studentëve të përmbushin një numër të caktuar kreditesh brenda një afati të përcaktuar, në mënyrë që të vazhdojnë të përfitojnë mbështetje financiare publike.

“Ne jetojmë në kushte pasigurie, ku shumë prej nesh duhet të punojnë ndërsa studiojnë, madje edhe të ndihmojnë financiarisht familjet e tyre. Kjo reformë i detyron studentët t'i përfjnë studimet sa më shpejt të jetë e mundur, për të mos humbur mbështetjen publike, edhe kur gjendja e tyre financiare është e vështirë”, thotë Dumont.

“Mundësia për të ndjekur universitetin nuk duhet të varet nga aftësia për t'u zhytur në borxhe. Arsimi është një e drejtë, jo një privilegj”, shton ai. Në Portugali dhe Spanjë, mijëra të rinj kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar rritjen e pandalshme të kostove të banesave.

Të dielën, qindra protestues në Lisbonë dhe Porto sfiduan urdhrat e dëbimit dhe kaluan natën në tenda në qendrat e qyteteve, duke kërkuar strehim të përballueshëm, sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE. Dhjetëra tenda u ngritën në sheshin Rossio, një prej hapësirave publike më emblematike të Lisbonës, dhe në sheshin Dom João I në Porto.

Në këtë të fundit, një operacion policor për largimin e protestuesve javën e kaluar la rreth 40 persona të plagosur, sipas organizatorëve. Kampet u ngritën pas demonstratave të së shtunës në disa qytete portugeze kundër çmimeve të banesave dhe krizës më të gjerë të kostos së jetesës.

Në Itali, nata e së shtunës u shoqërua me trazira të rënda në disa qytete, veçanërisht në Milano, duke sjellë pamje të ngjashme me ato të Francës. Gjatë ditës ishin zhvilluar protesta paqësore për arsimin dhe rritjen e kostos së jetesës.

Në Romë, 100.000 njerëz morën pjesë në një tubim të organizuar nga konfederata kryesore sindikale e vendit, CGIL, e cila ka shpallur një grevë të përgjithshme për në 20 nëntor. Në orët e vona të mbrëmjes, grupe të dhunshme, ku në disa raste përfshiheshin të rinj shumë të vegjël dhe të mitur, u përleshën me policinë.

Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, tha se nuk kishte parë diçka të ngjashme prej një dekade dhe paralajmëroi se prania policore kishte qenë e pamjaftueshme. Trazira të tjera u raportuan të dielën, duke çuar në 160 arrestime, shumë prej të cilëve të mitur.

Dhuna u përhap veçanërisht në Milano, Torino, Bolonjë, Brescia dhe Bergamo. Të paktën 141 punonjës policie u plagosën. Shqetësimin më të madh e shkaktuan sulmet dhe grabitjet e dyqaneve. Në Milano, u vunë në shënjestër bizneset përreth sheshit Piazza del Duomo dhe galerisë Galleria Vittorio Emanuele, ndërsa në Torino u plaçkit libraria e madhe Feltrinelli, pranë stacionit Porta Nuova.

Siç ndodh shpesh në Itali, trazirat u shndërruan shpejt në një përplasje politike. Megjithëse të gjitha partitë e dënuan dhunën, kryeministrja Giorgia Meloni akuzoi të majtën se po përpiqej ta justifikonte atë. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e mediave ka vënë në dukje se personat e përfshirë në aktet e dhunës, nuk dukeshin se kishin ndonjë përkatësi të qartë politike.

Donatella della Porta, sociologe dhe shkencëtare politike italiane, specialiste e lëvizjeve shoqërore, shpjegon se Gjenerata Z është formuar në një mjedis krizash të njëpasnjëshme.

“Gjenerata Z është rritur mes masave shtrënguese ekonomike, ndryshimeve klimatike, pandemisë dhe tani luftërave. Formimi i saj politik, është ndikuar edhe nga protestat në solidaritet me Palestinën dhe kundër gjenocidit të Izraelit në Gaza. Në Itali, ne i quajmë ata ‘Brezi i Gazës’“, thotë ajo.

Ndjenja pro-palestineze është përhapur edhe në Holandë. Në maj të vitit 2024, studentët pushtuan dhe bllokuan kampuset universitare në Amsterdam dhe Utrecht, duke kërkuar që institucionet e tyre të ndërprisnin lidhjet me universitetet izraelite.

Me kalimin e kohës, protestat përfshinë edhe kundërshtimin e shkurtimeve të buxheteve universitare dhe të riarmatimit ushtarak. Evy Kras, kryetare e Unionit Kombëtar të Studentëve të Holandës, thotë se organizata e saj ka më shumë se një dekadë që kundërshton sistemin e kredive studentore, të vendosur në vitin 2015, i cili zëvendësoi grantet me mbështetje financiare të bazuar te huamarrja.

“Disa njerëz do të vazhdojnë t’i shlyejnë kreditë e tyre deri në të dyzetat”, thotë ajo. Grantet bazë u rikthyen në vitin 2023, por shumë studentë që studiuan nën sistemin e mëparshëm vazhdojnë të mbajnë borxhe të konsiderueshme.

Kundërshtimi ndaj militarizimit, është shndërruar gjithashtu në një prej kauzave kryesore të studentëve. Unioni mori pjesë në lëvizjen “Stop de Oorlogskoorts” (“Ndal ethet e luftës”), e cila organizoi një demonstratë në Amsterdam më 27 shtator, dhe po përgatit greva e braktisje të mësimit në datën 20 nëntor.

“Kemi pasur pak kontakte me organizatat në vende të tjera, por në fund të fundit, askush prej nesh nuk dëshiron të shkojë në luftë apo të rekrutohet përmes shërbimit të detyrueshëm ushtarak”, shpjegon Kras.

Ndërkohë, ndikimin më të madh protestat e kanë pasur në Evropën Lindore. Në Serbi, gati dy vjet demonstrata të vazhdueshme, të nisura pas shembjes së tendës prej betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona, kanë çuar në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në Shqipëri, më shumë se katër muaj protesta, fillimisht paqësore, kundër projekteve turistike, përfshirë një investim të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trumpit, u ndërthurën javën e kaluar me një revoltë studentore.

Përshkallëzimi shkaktoi dëme të mëdha në ndërtesa publike, përfshirë Gjykatën e Lartë dhe Ministrinë e Arsimit, pjesë të së cilës u përfshinë nga zjarri.

Zhgënjimi politik

Edhe pse Evropa nuk po përjeton një krizë ekonomike të përmasave të vitit 2008, perspektivat e të rinjve vazhdojnë të kufizohen nga pasiguria dhe pasiguria ekonomike. Në gusht, papunësia mes personave nën 25 vjeç arriti në 15.4 për qind në të gjithë Bashkimin Evropian, krahasuar me 6.1 për qind për popullsinë në tërësi.

Në vitin 2025, 24.2 për qind e evropianëve të moshës 15-29 vjeç rrezikonin varfërinë ose përjashtimin shoqëror, kundrejt 20,9 për qind të popullsisë së përgjithshme. Një prej faktorëve që ekspertët vënë në dukje është çekuilibri demografik.

Tim Vlandas, politolog në Universitetin e Oksfordit, ka krijuar termin “gerontonomics” për të përshkruar një model ekonomik në të cilin pesha gjithnjë e më e madhe elektorale e votuesve të moshuar, nxit politika që u japin përparësi konsumit dhe pensioneve, në kurriz të investimeve shoqërore dhe rritjes ekonomike në të ardhmen.

Në vitin 2025, personat e moshuar përbënin 22 për qind të popullsisë së Evropës, nga 17 për qind në vitin 2005, dhe tashmë janë më të shumtë se të rinjtë nën 20 vjeç. Ndarjet mes brezave, po pasqyrohen gjithnjë e më shumë edhe në kutitë e votimit.

Në Spanjë, 51 për qind e votuesve mbi 65 vjeç mbështesin Partinë Popullore konservatore (PP) ose Partinë Socialiste në pushtet (PSOE), sipas një sondazhi të qershorit 2026 nga instituti 40dB. Në të kundërt, votuesit më të rinj janë orientuar drejt partisë së ekstremit të djathtë Vox, e cila renditet në të njëjtin nivel me PP-në mes votuesve nën 25 vjeç.

Në Francë, ku zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen në prill të vitit 2027, sondazhet tregojnë se 77 për qind e votuesve të rinj mbështesin ose Tubimin Kombëtar të ekstremit të djathtë, ose partinë e së majtës populiste “La France Insoumise”. Vetëm 23 për qind mbështesin pjesën tjetër të spektrit politik.

Në Itali, vnd në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm, gati gjysma e votuesve të moshës 18 deri në 34 vjeç mbështesin bllokun opozitar të së majtës, ndërsa më pak se 30 për qind përkrahin koalicionin qeverisës të Giorgia Melonit, sipas sondazheve të institutit YouTrend.

Ky radikalizim politik, shoqërohet me një zhgënjim të thellë ndaj politikës tradicionale. Në Francë, 74 për qind e votuesve nën 30 vjeç mendojnë se klasa politike as nuk i përfaqëson, as nuk i dëgjon. Sipas sondazheve kombëtare, kjo shifër arrin në 69 për qind në Itali dhe 59 për qind në Spanjë.

Lenaïk Dumont e kundërshton idenë se të rinjtë janë apatikë. “Të rinjtë nuk janë apatikë dhe nuk janë të painteresuar për politikën. Ne jemi të zemëruar dhe nuk do të rrimë duarkryq”, thotë ajo. Ajo thekson se protestat nuk janë një fenomen i ri: studentët në të gjithë Evropën kanë më shumë se një vit që mobilizohen.

Unioni Evropian i Studentëve (ESU), që përfaqëson organizatat studentore në mbarë kontinentin, regjistroi 54 protesta në 22 vende nga marsi deri në maj të këtij viti, nga 31 protesta në 13 vende gjatë periudhës së mëparshme të raportimit.

Një pankartë e mbajtur nga studentët italianë të premten, përmblidhte më së miri frymën e kësaj lëvizjeje: “Nëse na rrëmbeni të ardhmen, ne do t’ju bllokojmë të tashmen”. Mbetet për t’u parë nëse ky zemërim do të përkthehet në ndryshime politike dhe në votat që do të hidhen në kutitë e votimit./Pamfleti nga “El Pais”klithma e të rinjve evropianë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Trump kritikon Ukrainën: Nuk po jep asgjë në këmbim të mbështetjes amerikane 20 Tetor 2026, 10:2310:23Rajoni dhe Bota Alarm për bomba në shkollat italiane, evakuohen rreth 50 godina 20 Tetor 2026, 10:0410:04Rajoni dhe Bota Vance distancohet nga qëndrimi i Trump, nuk e mbështet Netanyahun në zgjedhje 20 Tetor 2026, 08:0408:04Rajoni dhe Bota Rrëmbehet bosi i drogës, ekzekutohet partnerja e tij (Video) 19 Tetor 2026, 22:5022:50Rajoni dhe Bota Trump mesazh të prerë Zelensky-t: S’je i pranueshëm në negociatat e paqes, gjej dikë tjetër 19 Tetor 2026, 22:3122:31Rajoni dhe Bota Zgjedhjet në Izrael/ "Ti je njeriu që duan në krah”, Trump nuk kursen mbështetjen për Bibin 19 Tetor 2026, 21:1821:18Rajoni dhe Bota