Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe dashamirësit e kafshëve, pasi një qenush i racës akits i quajtur Joy ka ngordhur pas trajtimit dhe qëndrimit në ambientet e të ashtuquajturit "hotel" të klinikës veterinare @pawclinic_al në qytetin e Elbasanit.
Denoncimi është bërë publik nga vetë pronari, i cili ka hedhur akuza të forta ndaj strukturës për neglizhencë ekstreme dhe keqtrajtim që çoi në vdekjen e kafshës. Sipas dëshmisë dhe dokumentacionit të paraqitur, përfshirë ekografitë, radiografitë dhe kartelën e rregullt të vaksinimit, Joy ka qenë një qenush krejtësisht i shëndetshëm dhe pa asnjë problem mjekësor para se të dërgohej në këtë klinikë.
Mirëpo, pas vetëm dy ditësh qëndrimi në ambientet e tyre, pronari e ka gjetur kafshën në gjendje kritike për jetën, me temperaturë trupore që kishte arritur në 42 gradë Celsius dhe me djegie në pjesë të ndryshme të trupit, të shkaktuara si pasojë e lënies së tij në të nxehtë pa asnjë kujdes apo ventilim minimal. "Joysi tashmë nuk është më, nuk arritëm dot as në Tiranë ta shpëtonim, por nëse do kem mundësi të shpëtoj kafshë të tjera do ta bëj! Përveç denoncimit, këtë klinikë duhet ta njohin të gjithë! Të mbyllet e të jep llogari për shumë jetë të humbura!" — shprehet i indinjuar pronari i qenushit. Pavarësisht përpjekjeve urgjente për ta transferuar në një klinikë të specializuar në Tiranë për t'i shpëtuar jetën, dëmtimet e rënda dhe temperatura e lartë e kishin çuar organizmin e kafshës drejt kolapsit total, duke rezultuar fatale.
Ky rast ka ringritur edhe një herë alarmin mbi mungesën e standardeve dhe kontrollit në pikat e kujdesit dhe akomodimit të kafshëve në vend, ndërkohë që kërkohet ndërhyrja e menjëhershme e institucioneve kompetente për të hetuar aktivitetin e @pawclinic_al dhe për të vendosur përgjegjësinë ligjore për këtë ngjarje të rëndë.

