Kapitalet e përfituara nga trafiku i drogës dyshohet se po pastrohen dhe investohen në lokale, restorante dhe biznese në Venecia. Sipas autoriteteve italiane, grupet kriminale shqiptare kanë një rol të rëndësishëm në trafikun e narkotikëve dhe dyshohet se kanë krijuar lidhje edhe me organizata të tjera mafioze. Grupet kriminale shqiptare në Itali duket se po zgjerojnë aktivitetin e tyre përtej trafikut të drogës, duke investuar kapitalet e përfituara nga aktivitetet ilegale në biznese të ligjshme, si bare, restorante dhe dyqane.
Ky është shqetësimi që ngrihet në një investigim të publikuar nga media italiane, Il Gazzettino, ku trajtohet prania dhe aktiviteti ekonomik i klaneve shqiptare në zonën e Venecias.
Sipas raportimit, nuk bëhet më fjalë vetëm për shpërndarjen e narkotikëve, por edhe për një prani ekonomike që po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në qytet.
Kontrolli i trafikut të kokainës dhe marijuanës
Prej vitesh, grupet shqiptare dyshohet se kanë një rol të rëndësishëm në furnizimin me shumicë të tregut të drogës, veçanërisht me kokainë dhe marijuanë.
Sipas hetimeve të përmendura në artikull, ato përdorin kryesisht persona të tjerë për shpërndarjen në rrugë, ndërsa drejtuesit e organizatave kriminale në shumë raste qëndrojnë jashtë Italisë.
Kjo mënyrë organizimi e bën më të vështirë identifikimin dhe goditjen e drejtuesve të rrjeteve kriminale nga autoritetet italiane.
Në shumë raste, personat që merren me shpërndarjen e drogës në terren janë vetëm hallka e fundit e një zinxhiri që drejtohet nga jashtë vendit.
Arrestime në Tiranë dhe Dubai
Artikulli sjell në vëmendje disa operacione të zhvilluara gjatë vitit 2026 nga autoritetet italiane në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare.
Në një prej tyre, policia italiane, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit shqiptar dhe Interpolin, arrestoi në Tiranë një shtetas shqiptar 45-vjeçar, i cili ishte në kërkim që prej vitit 2022.
Sipas hetimeve, ai dyshohej se drejtonte një rrjet të specializuar në importimin e kokainës për tregun e drogës në Venecia.
Një tjetër operacion u zhvillua në Dubai, ku u arrestua një shqiptar 39-vjeçar, i shpallur në kërkim prej shtatë vitesh. Ai dyshohej se drejtonte një organizatë kriminale me aktivitet në disa zona të provincës së Venecias, përfshirë Mestre, Noale, Scorzè, Noventa di Piave dhe Jesolo.
Ndërkohë, në Spinea, autoritetet italiane arrestuan një 21-vjeçar shqiptar, të cilit iu gjetën dy pistoleta dhe rreth 370 gramë lëndë narkotike.
Një tjetër operacion i rëndësishëm u zhvillua në qendrën historike të Venecias, në zonën Frari, ku policia zbuloi dhe çmontoi një ambient që përdorej për përpunimin dhe paketimin e kokainës. Në këtë rast u arrestua një shtetas shqiptar rreth 30 vjeç dhe u sekuestrua afro një kilogram kokainë.
Klanet shqiptare, të organizuara në familje
Një nga arsyet që e bën të vështirë goditjen e këtyre rrjeteve kriminale, sipas analizës së autoriteteve italiane, lidhet me mënyrën e organizimit të tyre.
Në raportet e fundit të Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) dhe Drejtorisë së Antimafias së Distriktit të Venecias (DDA), grupet kriminale shqiptare në rajonin e Venetos përshkruhen si ndër organizatat e huaja më të fuqishme në territor, me aktivitet të përqendruar kryesisht në trafikun e drogës.
Ato karakterizohen nga një strukturë e bazuar në lidhjet familjare dhe farefisnore. Në vend të një organizimi të vetëm hierarkik, këto grupe funksionojnë përmes klaneve ose familjeve të zgjeruara, ku bëjnë pjesë vëllezër, kushërinj, nipër dhe persona me lidhje të forta gjaku. Në terminologjinë e përdorur nga hetuesit italianë, këto struktura njihen si “Fis”.
Brenda tyre identifikohet një drejtues, i njohur si “Krie”, i cili në disa raste ka edhe një person të dytë në hierarki, që shërben si krahu i tij i djathtë.
Një element tjetër i rëndësishëm është se drejtuesit e klaneve shpesh e mbajnë bazën në vendin e origjinës, ndërsa aktiviteti kriminal shtrihet në territorin italian.
Nga trafiku i drogës te investimet në ekonomi
Shqetësimi kryesor i autoriteteve italiane lidhet me mundësinë që paratë e përfituara nga trafiku i narkotikëve të përdoren për të hyrë në ekonominë e ligjshme.
Sipas raportimit të Il Gazzettino, kapitalet e dyshuara si të ardhura nga aktivitetet kriminale po investohen në sektorë të ndryshëm, përfshirë baret, restorantet dhe bizneset tregtare në Venecia.
Kjo përbën një tjetër sfidë për institucionet italiane, pasi aktiviteti i grupeve kriminale nuk kufizohet më vetëm në tregun e paligjshëm të narkotikëve, por mund të shtrihet edhe në sektorë të ekonomisë lokale.
Në këtë kontekst, raportimi ngre edhe shqetësimin për lidhje të mundshme mes grupeve kriminale shqiptare dhe organizatave mafioze italiane, përfshirë ‘Ndranghetën’. Hetimet për këtë fenomen mbeten një nga prioritetet e autoriteteve antimafia në Itali. Top Channel

