Në ditën e 74-të radhazi të protestës kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar, fjalimet përpara godinës së Kryeministrisë kanë vijuar me denoncime të forta për mungesën e meritokracisë dhe punësimet nepotike në administratën publike. Një e re protestuese ka marrë fjalën nga podiumi për të ngritur zërin mbi realitetin me të cilin përballen të rinjtë me rezultate të larta akademike, të cilët mbeten jashtë tregut të punës në mungesë të lidhjeve politike: “Kam takuar dhjetëra të rinj të ekselencës të papunë. Meritokracia është fshirë përfundimisht në këtë vend! Ne e kemi të qartë se meritokracia është goditur në mënyrë spektakolare. Për studentët ekselentë nuk ka vende pune në këtë vend dhe administratë, sepse në këtë administratë punësohen njerëzit me lidhje nepotike.” Më tej, e reja iu drejtua me një mesazh të drejtpërdrejtë kreut të ekzekutivit, duke hequr një vijë të qartë ndarëse mes rinisë protestuese dhe eksponentëve të pushtetit: “Zoti kryeministër, kjo gjeneratë nuk është Taulant Balla e as Ardit Bido që të bëhen lëpirës të këtij pushteti! Janë shembuj të shëmtuar këta që përmenda në parlament dhe nuk na përfaqësojnë!” deklaroi ajo para turmës së protestuesve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
