Një qytetare ka denoncuar një situatë të ndodhur gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën Administrative të Tiranës duke treguar se gjyqtarja Manjola Xhaxho ka shtyrë për të tretën herë seancën ndaj palës së paditur, Emiliano Lule, drejtues i Institutit të Shoqatës së Fëmijëve të Verbër.
Sipas denoncimit, seanca ishte parashikuar të zhvillohej sot në orën 10:00, por u shty me argumentin se pala e paditur, Emiliano Lule, ishte i sëmurë.
Qytetarja ngre pikëpyetje mbi përsëritjen e shtyrjeve dhe kërkon të dijë se kush e drejton institucionin në rastet kur drejtuesi mungon për arsye shëndetësore. Ajo thotë gjithashtu se Lule është parë duke zhvilluar dreka e darka private me stafin e institucionit, duke ngritur dyshime mbi arsyet e mungesës së tij.
Në denoncimin e saj, qytetarja shprehet kritike edhe ndaj mënyrës së zhvillimit të procesit gjyqësor. Ajo thotë se gjyqtarja Xhaxho nuk ka marrë në konsideratë provat e paraqitura prej saj dhe se gjatë procesit janë përfshirë persona që, sipas saj, nuk kanë lidhje me çështjen.
Sipas qytetares, situata është tensionuar gjatë seancës dhe gjyqtarja është larguar nga salla pa caktuar, sipas saj, një datë të re për vijimin e gjykimit.
“Manjola Xhaxho mbron palën tjetër, nuk sheh provat. Ajo merr në gjyq persona të tjerë që s’kanë lidhje fare me ngjarjen. Ajo irritohet dhe ikën nga salla pa caktuar as datën e radhës”, pretendon qytetarja.
Denoncuesja e ka mbyllur reagimin e saj me një pyetje për mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor: “Kjo është drejtësia shqiptare?”

