Një 30-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Durrës. Arrestimi i tij mësohet se ka ardhur pasi ai ka vjedhur një automjet. Sipas njoftimit, autori ka tentuar t’i arratiset policisë dhe është përplasur me 4 makina të tjera. Ai rezultoi se ishte person i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, pasi një ditë më parë kishte vjedhur në Tepelenë automjetin me të cilin tentoi t’i largohej policisë. Pas kësaj ngjarjeje, atij iu shtuan akuzat. Ai akuzohet edhe për veprat penale “Mosbindja e urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. “Durrës/ Kishte vjedhur një automjet dhe, për t’i shpëtuar policisë, goditi 4 automjete, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe të punonjësve të Stacionit të Policisë Plazh, neutralizohet dhe vihet në pranga 30-vjeçari. Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh Durrës, gjatë patrullimit në territor, në rrugën “Pavarësia”, rreth orës 23:00, kanë konstatuar një automjet pa targa dhe me xhama të zinj, që kryente manovra të rrezikshme në rrugë, dhe janë vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i automjetit, sapo vuri re prezencën e policisë, shtoi shpejtësinë dhe tentoi t’u largohej shërbimeve, të cilët i bënë shenjë ndalimi. Në ikje e sipër, drejtuesi i automjetit aksidentoi 4 automjete, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe të punonjësve të policisë, dhe më pas braktisi automjetin, duke tentuar të largohej me vrap, por u neutralizua nga shërbimet e policisë. Nga verifikimet paraprake rezultoi se personi i ndaluar, shtetasi M. K., 30 vjeç, ishte person i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, pasi një ditë më parë kishte vjedhur në Tepelenë automjetin me të cilin tentoi t’i largohej policisë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga ana e Specialistëve të Hetimit, u bë arrestimi në flagrancë i 30-vjeçarit, për veprat penale “Vjedhja”, “Mosbindja e urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
