Një kalendar surprizash i markës SKIMS, në pronësi të Kim Kardashian, është kthyer në objekt kritikash në rrjetet sociale, pasi klientët kanë mbetur të zhgënjyer nga produktet që gjetën brenda tij, pavarësisht çmimit prej 148 dollarësh.
Kalendari i adventit, i cili përmbante 12 surpriza, u reklamua si një koleksion aksesorësh për festat e fundvitit. Por, në vend të produkteve që shumë blerës prisnin nga marka, kutitë përmbanin kryesisht llastiqe flokësh, karfica, lidhëse, varëse çelësash dhe një pasqyrë të vogël.
Videot e klientëve duke hapur kutitë njëra pas tjetrës u përhapën me shpejtësi në TikTok, ku përdoruesit ironizuan përmbajtjen dhe vunë në pikëpyetje çmimin e lartë. Disa komentues e krahasuan koleksionin me sende të zakonshme që mund të gjenden në fund të një çante, ndërsa të tjerë u ankuan se kalendari nuk përmbante asnjë veshje të markës.
Reagimet e shumta duket se e kanë detyruar kompaninë të ndërhyjë. Një përfaqësues i SKIMS konfirmoi se marka ka kontaktuar çdo klient që ka blerë kalendarin, duke u ofruar rimbursim të plotë ose kredit për të blerë produkte të tjera.
“Për disa klientë, kalendari nuk i përmbushi pritshmëritë”, deklaroi përfaqësuesi i kompanisë, duke shtuar se komentet e blerësve do të ndikojnë në mënyrën se si marka do të përgatisë produktet e ardhshme.
Rasti ka rikthyer diskutimin mbi çmimet e larta të produkteve të markave luksoze dhe pritshmëritë e konsumatorëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për koleksione të promovuara si dhurata speciale.

