KFOR-i ka nisur tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke e justifikuar vendimin me “përmirësimin e situatës së sigurisë”. Megjithatë, misioni i NATO-s thekson se do të mbajë një prani të fuqishme në veri të Kosovës dhe mund të rikthejë trupat në terren nëse situata përkeqësohet. Vendimi vjen pas një sërë incidentesh në veri, përfshirë shembjen e 17 objekteve në pronësi të serbëve pranë liqenit të Ujmanit dhe pretendimet për dhunë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës ndaj një banori gjatë një kontrolli.
KFOR-i po transferon gradualisht disa përgjegjësi te Policia e Kosovës, ndërsa autoritetet në Prishtinë shpresojnë që kjo të krijojë kushtet për rihapjen e urës kryesore të Mitrovicës për qarkullim. Në rastin e Manastirit të Visokë Deçanit, Policia e Kosovës pritet gjithashtu të integrohet gradualisht në strukturat që sigurojnë objektin. Por në veri ekziston ende një nivel i ulët besimi ndaj institucioneve të Kosovës, veçanërisht ndaj policisë.
Përfaqësues të komunitetit serb argumentojnë se reduktimi i KFOR-it dhe rihapja e urës po ndodhin në një moment të papërshtatshëm, duke përmendur incidentet e fundit dhe shqetësimet për sigurinë. Nga ana tjetër, disa ekspertë vlerësojnë se Policia e Kosovës ka krijuar kapacitete të mjaftueshme për ruajtjen e rendit në veri dhe se, pas vendosjes së kontrollit institucional të Prishtinës në këtë pjesë të Kosovës, mbyllja e urës nuk paraqet më të njëjtin justifikim sigurie si më parë.
Megjithatë, tensionet dhe mungesa e besimit mes komunitetit serb dhe institucioneve të Kosovës tregojnë se situata mbetet e brishtë. Top Channel

