Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shprehur “zhgënjim të thellë” dhe duke ngritur shqetësime lidhur me procesin gjyqësor. Në deklaratën e tij, KASH thekson se respekton parimet e shtetit të së drejtës, pavarësinë e institucioneve gjyqësore dhe të drejtën e viktimave për drejtësi. Megjithatë, organizata thotë se ka shqetësime për kohëzgjatjen e procesit, paraburgimin shumëvjeçar të të akuzuarve, proporcionalitetin e dënimeve dhe standardet e aplikuara gjatë gjykimit. KASH rikthen në vëmendje kontekstin e luftës në Kosovë, duke e përshkruar luftën e UÇK-së si përpjekje çlirimtare kundër represionit, spastrimit etnik dhe dhunës së regjimit të Slobodan Millosheviçit. Sipas deklaratës, ndërhyrja e NATO-s i dha fund krizës humanitare dhe rreth një milion shqiptarë të Kosovës ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Këshilli thekson se aktgjykimi i shpallur në Hagë është vendim i shkallës së parë dhe se procesi i apelimit ende nuk është përmbyllur. “Aktgjykimi ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së nuk është dhe nuk mund të interpretohet si një dënim në emër të popullit të Kosovës, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo të luftës së saj për liri dhe pavarësi”, thuhet në deklaratë. KASH u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës që, sipas tij, të mbajnë një qëndrim të balancuar, duke kërkuar që respektimi i procesit gjyqësor të mos shoqërohet me relativizim të krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë.
Njëkohësisht, Këshilli ka kërkuar që procesi i apelimit të shqyrtojë në mënyrë të paanshme provat, përfundimet juridike, përcaktimin e përgjegjësisë dhe proporcionalitetin e dënimeve.
Në fund, KASH ka shprehur solidaritet me popullin e Kosovës dhe familjet e të dënuarve, duke bërë thirrje për qetësi, unitet dhe besim në mjetet juridike.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

