Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Vladimir Putin nuk ka ndërmend të sulmojë vendet anëtare të NATO-s, pavarësisht tensioneve në rritje mes Rusisë dhe vendeve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Zyrën Ovale, Trump tha se kishte zhvilluar një bisedë me presidentin rus dhe se diskutimi kishte qenë pozitiv.
“Kam folur me të për këtë. Patëm një bisedë të mirë. Ai nuk do të sulmojë”, deklaroi Trump, duke shtuar se Putin nuk do të ndërmarrë sulme ndaj territoreve të NATO-s.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur marrëdhëniet mes Moskës dhe vendeve perëndimore janë përshkallëzuar sërish.
Rusia ka paralajmëruar se mund të ndërmarrë veprime hakmarrëse ndaj bazave dhe objekteve ushtarake britanike, pas përdorimit nga Ukraina të armëve të furnizuara nga Londra në sulme ndaj rafinerive dhe infrastrukturës ruse.
Ministria e Jashtme ruse ka paralajmëruar se objektivi i një reagimi të mundshëm mund të jetë çdo objekt apo pajisje ushtarake britanike, brenda ose jashtë territorit të Ukrainës.
Pavarësisht retorikës së ashpër, burime të Bashkimit Europian në Bruksel kanë vlerësuar se nuk ekziston aktualisht një rrezik i menjëhershëm për një sulm rus ndaj vendeve europiane apo anëtarëve të NATO-s. Top Channel

