Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar situatën e mbetjeve në fshatin Shetaj, Kepi i Rodonit.
Sipas denoncuesit, në zonë mungojnë kazanët dhe shërbimi i rregullt i pastrimit, ndërsa rruga rreth 11 kilometra që përshkon Kepin e Rodonit është mbushur me mbetje të hedhura në mënyrë të pakontrolluar.
Në videot dhe fotografitë e dërguara në redaksi shihen qese plastike, shishe, mbetje urbane dhe materiale të ndryshme të shpërndara përgjatë rrugës, pranë pemëve dhe shkurreve.
Denoncuesi ngre shqetësimin se kjo situatë dëmton mjedisin dhe imazhin e një prej zonave turistike të vendit, e cila frekuentohet nga turistë vendas dhe të huaj.
“Nuk mund të promovojmë Kepin e Rodonit si destinacion turistik, ndërkohë që rruga që të çon drejt tij është e mbushur me mbetje.”
Qytetari kërkon ndërhyrjen e Bashkisë Durrës për vendosjen e kazanëve, pastrimin e zonës dhe garantimin e një shërbimi të rregullt të mbledhjes së mbetjeve.
JOQ Albania publikon pamjet dhe denoncimin, duke kërkuar reagimin e institucioneve përgjegjëse për pastrimin dhe mbrojtjen e zonës. View this post on Instagram A post shared by JOQ News (@joqnews)

