Oleksandr Syrskyi pretendon se humbjet e mëdha të ushtrisë ruse dhe përdorimi i teknologjive të reja kanë stabilizuar vijën e frontit në Ukrainë. Në një intervistë për BBC-në, ish-komandanti ukrainas foli edhe për konfliktet me drejtuesit e mbrojtjes, kritikat ndaj komandës së tij dhe të ardhmen e luftës me dronë e inteligjencë artificiale.
Ukraina ka arritur të stabilizojë vijën e frontit dhe të kufizojë aftësinë e Rusisë për të përparuar, kryesisht për shkak të humbjeve të mëdha që forcat ruse kanë pësuar në fushëbetejë.
Kështu deklaroi ish-komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, në një intervistë ekskluzive për BBC-në.
Sipas tij, humbjet e përgjithshme të Moskës gjatë luftës janë gjashtë herë më të larta se ato të Ukrainës. Nëse llogariten vetëm të vrarët, diferenca mund të arrijë deri në 11 herë, pretendoi Syrskyi.
Megjithatë, këto shifra nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. As Moska dhe as Kievi nuk publikojnë zyrtarisht bilance të plota të ushtarëve të vrarë në luftë.
Syrskyi, i cili drejtoi ushtrinë ukrainase nga viti 2024, deklaroi se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, forcat ruse arritën të merrnin gjithsej vetëm 61 kilometra katrorë territor. Sipas tij, kjo është një shenjë e qartë se fronti është stabilizuar.
Edhe Instituti për Studimin e Luftës (ISW), sipas raportit të cituar nga BBC-ja, ka evidentuar një ngadalësim të përparimit rus. Në shtator 2026, Rusia humbi më shumë territor sesa arriti të pushtonte.
Në intervistën e tij të parë që nga largimi nga detyra, Syrskyi foli edhe për mosmarrëveshjet me ish-ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov.
Ish-gjenerali tha se mosmarrëveshjet lidheshin me mënyrën e prokurimit të pajisjeve dhe furnizimeve ushtarake. Sipas tij, përparësia e dhënë dronëve kishte krijuar mungesa në pajisje të tjera të nevojshme në front, si automjetet tokësore pa pilot, kamionçinat dhe motoçikletat. Ai pretendoi gjithashtu se ushtria merrte vetëm gjysmën e dronëve që i nevojiteshin.
Syrskyi hodhi poshtë edhe kritikat se ishte tepër tradicional për të drejtuar një ushtri që po mbështetet gjithnjë e më shumë te teknologjia. Sipas tij, gjatë komandës së tij, Ukraina zgjeroi ndjeshëm përdorimin e dronëve, përfshirë sulmet në distanca mbi 2,000 kilometra pas vijave të armikut.
Ai pretendoi se dronët janë përgjegjës për 80% të humbjeve ruse, një shifër që nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Ish-komandanti u përball gjithashtu me kritika nga ushtarë që kishin shërbyer nën drejtimin e tij. Ata i kishin thënë më parë BBC-së se ishin urdhëruar të qëndronin në pozicione edhe kur rrezikonin të rrethoheshin nga forcat ruse, duke pësuar humbje të mëdha.
Syrskyi nuk i mohoi situatat e tilla, por argumentoi se Ukraina po lufton kundër një kundërshtari me epërsi të konsiderueshme në burime njerëzore dhe armatime.
Sipas tij, gjatë vitit 2025, Rusia kishte 18 herë më shumë avionë dhe bomba, si dhe dy herë e gjysmë më shumë artileri dhe municione sesa Ukraina.
Ai mbrojti edhe operacionin ukrainas në rajonin rus të Kurskut, të nisur në gusht 2024, i cili përfi me tërheqjen e trupave ukrainase në pranverën e vitit pasues. Sipas Syrskyt, operacioni ishte i domosdoshëm, pasi detyroi Moskën të zhvendoste forca nga drejtime të tjera dhe i dha ushtrisë ukrainase kohë për të riorganizuar njësitë e saj.
Në intervistë, Syrskyi u bëri thirrje vendeve europiane të mos nënvlerësojnë rrezikun e zgjerimit të agresionit rus përtej Ukrainës.
Ai këshilloi aleatët europianë të përgatitin ekonomitë, ushtritë dhe popullsinë e tyre, duke investuar në armatime moderne dhe kapacitete mbrojtëse.
Sipas tij, lufta në Ukrainë do të bëhet gjithnjë e më e varur nga teknologjia, me përdorim në rritje të robotëve, sistemeve të automatizuara dhe inteligjencës artificiale.
Megjithatë, ai theksoi se njeriu do të mbetet vendimtar në fushëbetejë, pasi këto sisteme do të kenë ende nevojë për kontroll dhe drejtim njerëzor. Top Channel

