Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat këtë të enjte, ka sqaruar qëndrimin e opozitës lidhur me ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjes me SHBA-në për huanë prej 302 milionë dollarësh në fushën e mbrojtjes. Berisha theksoi se PD e mbështet plotësisht përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje dhe plotësimin e detyrimeve ndaj NATO-s, por kundërshton mënyrën se si kryeministri Edi Rama e kaloi atë në Kuvend, ku sipas tij shkeli rregullat e afatet kushtetuese. Sipas Berishës, kalimi i marrëveshjes pa respektuar procedurat parlamentare ishte një përpjekje e kryeministrit për të shkelur të drejtat e opozitës dhe për të përfituar kapital politik. Ndërkohë, u shpreh se PD është gati ta votojë marrëveshjen në çdo moment, me kushtin që të respektohet ligji themeltar i shtetit. “Opozita në Shqipëri është në një dhunim konstant të të drejtave të saj kushtetuese. Dhe kjo është e njohur tashmë ndërkombëtarisht. Kjo është e sanksionuar në dokumente ndërkombëtare. Absolutisht nuk kemi asnjë kundërshtim për marrëveshjen. E mbështesim plotësisht. Mbështesim plotësisht kërkesën e Presidentit Donald Trump për rritjen e shpenzimeve për çështjet e sigurisë. Koha i dha atij 100% të drejtë. Partia Demokratike qëndron si forcë politike që ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, qëndron prapa çdo përpjekje për të mbushur detyrimet tona ndaj NATO-s. Por Edi Rama kërkonte ta përdorte këtë marrëveshje për dhunimin e të drejtave kushtetuese, për dhunimin e radhës të së drejtës kushtetuese të opozitës. I pafytyrë, i pamoral, primitiv dhe delinkuent siç është, ndonëse kryetari i Parlamentit ra dakord me propozimin tonë për respektimin e Kushtetutës, pra për votimin në afatin kushtetues që ishte dita e premte, ai urdhëroi, ai urdhëroi me çdo kusht votimin pa u lexuar, në kundërshtim me afatin kushtetues. Duke besuar se në këtë mënyrë do fitojë pikë dhe më shumë, do blejë influencë politike për veten e tij dhe për të sulmuar opozitën. Opozita, edhe njëherë, në çdo kohë e mbështet marrëveshjen, mbështet synimin e marrëveshjes, termat e saj. Por opozita nuk mund të pranojë që kjo të ndodhë duke shkelur ajo mbi të drejtat kushtetuese të veta. Kjo e bën bashkëfajtore opozitën në dhunimin e Kushtetutës. Dhunim i evidentuar. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, ka një përcaktim kushtetues. Nuk është hedhur marrëveshja në gjykatë, absolutisht. Është hedhur procedura jokushtetuese e përdorur për miratimin e saj. Po marrëveshjen, në termat kushtetues ne e votojmë në çdo kohë”, është shprehur Berisha.
