Lajme Zone
Këlliçi: Arrestohen studentët, drejtuesit e “5D”-së lihen të lirë
PolitikëCNA

Këlliçi: Arrestohen studentët, drejtuesit e “5D”-së lihen të lirë

Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ngriti sot pikëpyetje për masat e sigurisë të vendosura ndaj disa të rinjve që kanë protestuar ditët e fundit në kryeqytet. Në një deklaratë për shtyp, Këlliçi tha se ndërsa studentët arrestohen, emra zyrtarësh të lidhur me korrupsionin lihen të lirë. Sipas demokratit, këto ditë nuk kanë qenë asgjë më shumë veçse zemërata e një brezi

Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ngriti sot pikëpyetje për masat e sigurisë të vendosura ndaj disa të rinjve që kanë protestuar ditët e fundit në kryeqytet.

Në një deklaratë për shtyp, Këlliçi tha se ndërsa studentët arrestohen, emra zyrtarësh të lidhur me korrupsionin lihen të lirë.

Sipas demokratit, këto ditë nuk kanë qenë asgjë më shumë veçse zemërata e një brezi që qëndron përballë një pushteti trembëdhjetëvjeçar të kriminalizuar, që ka zgjedhur ta dhunojë e nënshtrojë këdo që i del përpara.

Deklarata e plotë:

Prej tri ditësh, në rrugët e Tiranës ka shpërthyer zemërata e një brezi që nuk do ta çojë më dëm të ardhmen. Përballë brezit, që ka guximin të zgjedhë protestën e zëshme e jo emigrimin e heshtur, qëndron një pushtet trembëdhjetëvjeçar i kriminalizuar, që ka zgjedhur ta dhunojë e nënshtrojë këdo që i del përpara.

Studentët protestuan për 133 ditë në mënyrë paqësore dhe kjo qeveri jo vetëm që nuk i dëgjoi, por i talli, i përbuzi, i akuzoi si të paguar dhe mercenarë, i ofendoi duke i etiketuar si dështakë sot i dhunon egërsisht, pa mëshirë, duke mos kursyer të mitur e studentë ekselentë.

Partia Demokratike dhe deputetët e saj që nga dita e parë kanë qenë në çdo komisariat në ndihmë të studentëve, ndihmë e cila do të vazhdojë pa ndërprerje.

Do të jemi aty, për të garantuar të drejtën e tyre themelore për të protestuar kundër një regjimi që po i shpopullon përditë. Sepse e drejta për të kundërshtuar qeverinë nuk mbaron aty ku fillon makthi i kryeministrit.

Sot në Gjykatën e Tiranës është konsumuar goditja e radhës me urdhër të Edi Ramës.

Gjyqtarja Amarlida Sulaj, bashkëshortja e efektivit të RENEA-s Adi Pojana, sot ka vendosur t'i quajë të ligjshme ndalimet e studentëve duke vendosur 6 masa ‘arrest shtëpie’ dhe 11 masa ‘detyrim paraqitje’ për të rinjtë protestues.

Në masë ‘arresti shtëpie’ është mbajtur dhe simboli i rezistencës ditën e parë të protestës, studenti i Fakultetit Juridik, Klevin Metaj.

Arrestohen studentët që kërkojnë rrëzimin e këtij sistemi të kriminalizuar dhe lihet e lirë Mirlinda Karçanaj, Vlora Hyseni, Ilir Beqaj, hajdutët e '5D', Belinda Balluku, e plot të tjerë?

Sot kam vetëm një mesazh në emër të PD, për Ervin Demon, Skënder Hitajn, Olger Torbën, shefat e komisariateve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, si dhe mercenarët e tjerë në shërbim të narkoshtetit.

Ndaloni dhunën kafshërore ndaj studentëve. Tërhiqni civilët banditë të armatosur dhe mercenarët e paguar, me të cilët po rrëmbeni qytetarët. Largoni ushtarët e grupeve kriminale që i keni thërritur në ndihmë, për të dhunuar në mënyrë shtazarake studentët.

Ervin Moku dhe Skënder Balluku, ju që sot flisni për shtetin ligjor, ju që sot frymëzoni dhunën e policisë ndaj studentëve, do të përgjigjeni para drejtësisë shumë shpejt për krimet dhe korrupsionin tuaj në kurriz të shqiptarëve.

Në një shtet ligjor, autoriteti është arsye për më shumë kontroll, transparencë dhe më shumë përgjegjësi. Por në narkoshtetin ku shërbeni ju, keni licencën e dhunës shtetërore të pakufizuar dhe korruptimit pa fre.

Po dokumentojmë gjithçka, shqiptarët po e shohin me sytë e tyre dhe nuk keni për t’i shpëtuar gjykimit e dënimit ligjor për dhunën ekstreme të papërligjur të ushtruar nga urdhrat tuaja kundër protestuesve, shpesh të mitur.

Keni shkelur ligje shqiptare dhe ndërkombëtare në një shkallë të gjerë dhe të paprecedentë, duke shkaktuar terror shtetëror.

Jeni të ekspozuar, të dokumentuar, filmuar e dëshmuar si strukturë narkoshteti dhe organizatë kriminale.

Do të jepni llogari për çdo urdhër, firmë, çdo vendim, mbi protestuesit.

Kjo është garancia që ne i japim sot shqiptarëve, protestuesve ndaj sistemit kriminal të Edi Ramës. Dhe fiksojeni mirë, nuk mund ta ndalni, trembni e as përballoni me çfarëdo mobilizimi kriminal, atë që është zgjim i shqiptarëve të lirë./CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.