Kryeministri Rama, gjatë takimit që zhvilloi ditën e sotme me shqiptarët në Miçigan, komentoi edhe vendimin e Hagës për 4 ish-liderët e UÇK-së. Kryeministri u shpreh se edhe pse shpesh thuhet se vendimet e gjykatave duhen respektuar, në këtë rast, dënimi me 81 vite burg i 4 ish-liderëve të UÇK është ‘një varrosje për së gjalli’.
Rama shtoi se populli i Kosovës nuk e gjen veten në këtë vendim që u bë në emër të tyre, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës.
“Dua t’ju them që si rrallëherë jam përpëlitur sa këtë herë, duke rreshtuar fjalët e një fjalimi, sepse as kisha si e shmangia atë që ndodhi në Hagë përpara disa ditësh, po edhe nuk gjeja rrugën se si t’i qasesha atij gurit të madh, të rëndë përballë të cilit për hir të vërtetës, fjalët duken të kota njësoj si në një mort. Një mort për së gjalli në këtë rast, një varrosje njerëzish të gjallë dhe një pafuqi kombëtare përballë një marreje ndërkombëtare.
Ka një fjalë që na e përsërisin shpesh dhe që e përsërisim shpesh: ‘’Respektoni vendimin e Gjykatës. Vendimet e gjykatave duhen respektuar. Shteti i të drejtës, bota demokratike funksionon mbi respektin për vendimet e Gjykatave”, dhe nuk diskutojmë këtë, por jo vendimin e Gjykatës, por edhe vetë vdekjen në heshtje e pranon vetëm ai që vdes. Problemi në këtë rast nuk është të mos respektosh vendimin e Gjykatës, po problemi është si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të katër njerëzve në emër të popullit, kur vetë populli nuk e gjen asgjëkund veten në atë vendim të dhënë, jo thjesht në gjuhë të huaj, po edhe në një tëhuajsim të vetë drejtësisë.
Natyrisht që Shqipëria në këtë mes nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, për sidoqoftë të zgjedhurit e popullit të saj do të vendosin ta refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre katër burrave dhe unë besoj se respektimi i detyruar dhe i padiskutueshëm i atij vendimi të Gjykatës, nuk e pengon kurrsesi refuzimin e asaj varrosjeje si një fatalitet pa apel”, u shpreh kryeministri Rama. Top Channel

