Lajme Zone
Kartat e djegura të luanit të savanës fejsbukjane
PolitikëPamfleti

Kartat e djegura të luanit të savanës fejsbukjane

Një luan i krijuar me inteligjencë artificiale dhe disa fraza “filozofike”, nga ato me të cilat të mbushet ekrani kur vazhdon të lëvizësh pa fund nëpër rrjetet sociale.

Kartat e djegura të luanit të savanës fejsbukjane / Pas 85 votave të imponuara, rebelët e PS-së u shfaqën siç janë: letra pa vlerë në dorën e Edi Ramës, të gatshme për t’u zëvendësuar në zgjedhjet e ardhshme... Edi Rama postoi në faqen e tij në Facebook një Reel krejt banal, nga ata që përdorin zakonisht TikToker-ët sipërfaqësorë kur duan të duken pak më të thellë.

Një luan i krijuar me inteligjencë artificiale dhe disa fraza “filozofike”, nga ato me të cilat të mbushet ekrani kur vazhdon të lëvizësh pa fund nëpër rrjetet sociale.

Shumë njerëz e morën për keq këtë postim, si lajthitjen e një njeriu që e dinë se ka më shumë mend në kokë. Por njëri prej komentuesve e përmblodhi situatën me një batutë të kripur: “Ti je... o Edi!”, duke vendosur në mes, për edukatë, simbolin e një makine.

Në fakt, ishte një batutë brilante për nivelin ku kishte rënë kryeministri, duke u shfaqur si filozof i dëshpëruar i Facebook-ut.

Megjithatë, duket se Edi Rama ka dashur të përçojë një mesazh jo të zakonshëm, të fshehur brenda një budallallëku. Nëse dikush ia merr për ters, ai mund të thotë se videon e ka postuar ndonjë kastravec i zyrës së tij të shtypit.

Sinjali u drejtohet atyre që e kanë sulmuar ose që pritet ta sulmojnë përsëri. Bëhet fjalë për qarqe të fuqishme europiane, kryesisht gjermane, por edhe për prokurorët e SPAK-ut.

Është një kod komunikimi që vjen nga ekzaltimi pas votimit të reformës territoriale. Një votim që nuk kishte shumë lidhje me vetë reformën, por me ankthin e Edi Ramës se shumica mund t’i shkërmoqet nga brenda.

Ndërkohë, iluzioni se brenda Partisë Socialiste ekzistojnë faktorë që mund të sjellin ndryshimin, vdiq me votën e dhënë nga frika e përjashtimit.

Të gjithë ata që folën kundër reformës, por më pas e votuan si Çeçua; Erion Braçe, Elisa Spiropali, Vullnet Sinaj, Fadil Nasufi dhe të tjerë që e kundërshtojnë vetëm nëpër kafene, nuk janë lojtarë politikë.

Janë thjesht karta në duart e shefit të madh, të cilat ai i hedh në tavolinë si “piklisha”, siç u thonë në Shkodër letrave pa ndonjë vlerë të madhe në lojë.

Një lojtar hyn në lojë duke pranuar edhe vuajtjen, edhe rrezikun e humbjes. Por ai nuk pranon të bëhet letër në dorën e një lojtari që bën hile dhe komandon të gjithë tavolinën.

Edi Rama ka më shumë fuqi dhe mekanizma për ta drejtuar lojën. Por, në çdo rast, ai mbetet njeriu që duhet mundur politikisht.

Metafora e Davidit me Goliathin mund të mos ketë ndodhur realisht, por mbart një filozofi të qartë: më i fuqishmi është gjithmonë edhe objektivi që duhet rrëzuar. Sepse ndryshimi nuk vjen duke iu bindur atij, por duke e nxjerrë nga loja.

Një lojtar, aktor apo faktor politik nuk mund të lindë duke u ndeshur vetëm me “luanin” e kopshtit zoologjik të Lali Erit, të cilit punonjësit i vidhnin mishin derisa e kthyen në vegjetarian.

Duke mbetur thjesht karta në duart e Edi Ramës, të gjithë ata që u betuan se do t’i bënin gjëmën, nuk janë më as kundërshtarë dhe as faktorë. Janë vetëm karta të djegura.

Dhe luani i savanës së Facebook-ut do t’i zëvendësojë në zgjedhjet e para që do vijnë. Atëherë ata do të humbin edhe emrin politik, bashkë me karrigen që e duan më shumë se gjithçka./Pamfletikartat e djegura të luanit të savanës fejsbukjane Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Trump, ëndrra e madhe dhe Amerika e vogël 9 Tetor 2026, 10:4710:47Editorial Rama sn, Berisha i mban kurorën 8 Tetor 2026, 19:0619:06Editorial Pse janë rebeluar të rinjtë në Francë? 8 Tetor 2026, 14:5514:55Editorial Pakti i fshehtë amerikan që zgjidhi krizën në Kosovë 7 Tetor 2026, 13:3713:37Editorial Shqipëria mes Mossad-it dhe MIT-it, loja e rrezikshme e Edi Ramës 6 Tetor 2026, 11:0711:07Editorial Republika e videove erotike 5 Tetor 2026, 11:3511:35Editorial