Ish-burgu i Spaçit në Mirditë u kthye të premten në një vend pelegrinazhi dhe kujtese. Pas dekadash, në vendin ku vuajti 12 vite burg gjatë regjimit komunist, u rikthye eminenca e tij Kardinal Ernest Simoni Troshani. Me të mbërritur atje, ai vizitoi ambientet ku ishte mbajtur i burgosur dhe u ndal pranë fotografive të ish-bashkëvuajtësve, duke kujtuar vitet e persekutimit dhe sakrificën e qindra të dënuarve politikë. Më pas, Kardinali kremtoi Meshën e Shenjtë në oborrin e ish-burgut, në praninë e ish-të përndjekurve politikë, besimtarëve të shumtë, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, dhe politikës. Në mesazhin e tij, ai rikujtoi momentin e arrestimit e dënimit si dhe u bëri thirrje shqiptarëve të jetojnë me besim, të jenë më pranë Zotit dhe ta duan njëri-tjetrin. LEXO edhe...Tabaku nga Spaçi: Shteti ka dështuar të gjejë viktimat e diktaturës, asnjë familje nuk duhet të mbetet pa përgjigje “Jeni bijtë e të madhit Zot, të duani njëri tjetrin, atdheun, me mbrojt të vërtetën. Falënderoj Zotin që na ka bashkuar, njerëzit që me admirim me kanë pritur”, thotë ai. Teksa e konsideruan Spaçin një simbol të qëndresës komuniste, përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë, pushtetit vendor dhe dioqezës së Rrëshenit kërkuan më shumë vëmendje nga për ruajtjen e ish-burgut të Spaçit, i cili prej vitesh vijon të degradohet. “Emocion i veçante që ndjekim meshë nga Kardinali Ernest Simoni. Këto ndërtesa kanë përjetuar gjak, tmerr dhe në fakt për komunistët ata duan të mos ekzistojnë. Thirrje për të gjithë ata që e duan jetë vend një vend pelegrinazhi, ta kthejnë vëmendjen dhe ta kthejnë në një muze historik për të gjithë vuajtjet që regjimi komunist i solli Shqipërisë”, tha Albert Mëlyshi. “Thirrja ime është për qeverinë shqiptare. Ky sit nuk duhet të shkatërrohet. Po u shkatërrua brezat e rinj do të thonë s’ka ndodhur gjë. Kjo do ishte fatkeqësia më e madhe, sepse ajo që harrohet, përsëritet”, tha Dom Gjergj Meta. Në shenjë mirënjohjeje për jetën e tij të përkushtuar dhe dëshminë e besimit përballë persekutimit, Kardinalit 98-vjeçar iu dorëzua një certifikatë mirënjohjeje dhe një dhuratë simbolike me emblemën e Spaçit. Në këtë ditë nuk mungoi as mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Leone XIV, i cili u lexua gjatë ceremonisë. Në mesazhin e tij, Papa e cilësoi Spaçin një nga plagët më të dhimbshme të historisë shqiptare, por edhe një vend ku besimi dhe shpresa triumfuan mbi padrejtësinë. Ai theksoi se kujtesa e atyre që vuajtën dhe humbën jetën në këtë kamp duhet të mbetet e gjallë, si një thirrje për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, lirisë dhe paqes. Kremtimi në ish-burgun e Spaçit u mbyll me lutje për viktimat e diktaturës dhe me një apel që historia e këtij vendi të mos harrohet kurrë. Letra e plotë e Pape Leone Vëlla i nderuar, me një mallëngjim të thellë bashkohem shpirtërisht me Eminencën Tuaj dhe me të gjithë ata që janë mbledhur në ish-kampin e burgimit të Spaçit, ku Ju ktheheni pas kaq vitesh për të kremtuar Eukaristinë, Sakrificën e Krishtit, e cila e shndërroi Kryqin nga shenjë vdekjeje në premtim jete. Ai vend, i gdhendur në kujtesën e popullit shqiptar, mbetet një prej faqeve më të dhimbshme të historisë së tij. Spaçi ka qenë një vend ku shumë njerëz kanë mbartur kryqin e rëndë të padrejtësisë; gjaku i atyre që kanë vuajtur dhe kanë vdekur mes atyre maleve e ka ujitur atë tokë, duke e bërë një dëshmi të heshtur besnikërie, guximi e shprese. Sa shumë lutje do të jenë ngritur drejt Qiellit nga ai vend! Sa përgjërime janë pëshpëritur në zemër! Sa shumë njerëz, të shënuar nga mundimi dhe privimet, ia kanë besuar Zotit shpresën e tyre të fundit! Memoria na e kujton se asnjë zinxhir nuk është aq i fortë sa të burgosë një ndërgjegje të ndriçuar nga Ungjilli, asnjë natë nuk është aq e gjatë sa të pengojë agimin që Zoti përgatit për bijtë e Vet dhe asnjë burg nuk është aq i thellë sa ta ndajë njeriun nga dashuria e Hyjit (krh. Rom 8,35-39). Bashkohem në lutje për ata që kanë vuajtur dhe kanë vdekur në Spaç, që kujtimi i tyre të mbetet i gjallë dhe të jetë për brezat e rinj një thirrje e vazhdueshme për të respektuar dinjitetin e pacenueshëm të personit njerëzor, vlerën e lirisë dhe angazhimin për paqen. Të gjithë të pranishmit ia besoj ndërmjetësimit të së Lumes Mari Virgjër, Nënës së Shpresës, dhe, duke ju siguruar se do t’ju kujtoj në lutje, i jap me gjithë zemër Eminencës Suaj dhe të gjithë pjesëmarrësve në kremtim Bekimin Apostolik të kërkuar. Nga Vatikani, më 30 korrik 2026 LEONI PP. XIV Share SI.E./ReportTv.al Papa Leoni i 14 Spaç burgu i spacit ernest simoni Komento Komente Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion iu pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 57.8% 100 bashki (PD) 15.8% 61 bashki (si sot) 26.4% Vota total: 1153 Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion iu pëlqen më shumë?
