Kardinali Ernest Simoni Troshani është rikthyer në ish-kampin e Spaçit, vendin ku kaloi 12 vite të jetës së tij si i burgosur politik gjatë regjimit komunist. Vizita në këtë simbol të persekutimit u shndërrua në një moment të fortë kujtese dhe reflektimi, ku u përkujtuan viktimat e dhunës politike dhe fetare të diktaturës.
Fillimisht, kardinali vizitoi ambientet e ish-burgut, duke u ndalur para fotografive të bashkëvuajtësve dhe duke kujtuar vitet e vështira të burgimit, sakrificat dhe qëndresën e qindra të dënuarve politikë. Më pas, në oborrin e ish-kampit, ai kremtoi Meshën e Shenjtë në praninë e besimtarëve dhe të ftuarve.
Gjatë fjalës së tij, 98-vjeçari rikujtoi arrestimin dhe vuajtjet që përjetoi në Spaç, ndërsa përcolli një mesazh shprese dhe pajtimi. Ai u bëri thirrje shqiptarëve të forcojnë besimin, të afrohen më shumë me Zotin dhe të kultivojnë dashurinë e respektin për njëri-tjetrin.
Në përfundim të ceremonisë, Kardinalit Ernest Simoni Troshani iu dorëzua një certifikatë mirënjohjeje dhe një dhuratë simbolike me emblemën e Spaçit, si vlerësim për qëndresën, dëshminë e besimit dhe kontributin e tij gjatë gjithë jetës.
Gjatë aktivitetit u lexua edhe një mesazh i Papa Leonit XIV, në të cilin Spaçi cilësohet si një nga plagët më të rënda të historisë së Shqipërisë, por njëherazi edhe si një simbol i qëndresës së besimit dhe i shpresës përballë shtypjes.
Në mesazhin e tij, Ati i Shenjtë theksoi se kujtimi i atyre që u persekutuan dhe humbën jetën në këtë kamp duhet të ruhet brez pas brezi, si një kujtesë e përhershme për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, lirisë dhe paqes.
