Reshje të dendura shiu kanë përfshirë këtë të premte disa qarqe të vendit, ku dëmet më të mëdha janë regjistruar në qarkun e Korçës.
Në fshatin Derdush, në Bashkinë Pogradec, një tufë bagëtish u godit nga rrufeja gjatë shtegtimit drejt kullotave malore.
Sipas të dhënave paraprake, kanë ngordhur rreth 10 krerë bagëti të imta, ndërsa 17 të tjera janë lënduar. Në zonë janë angazhuar shërbimet veterinare, të cilat po kryejnë vlerësimin e bagëtive të mbijetuara dhe po marrin masat e nevojshme.
Problematika janë raportuar edhe në qytetin e Korçës, ku si pasojë e motit të keq një pemë u rrëzua mbi trotuar, duke bllokuar kalimin e këmbësorëve dhe duke krijuar rrezik për qytetarët. Shërbimet bashkiake pritet të ndërhyjnë për largimin e saj.
Edhe qyteti i Elbasanit u përfshi nga reshje të dendura shiu. Reshjet intensive shkaktuan bllokimin e disa segmenteve rrugore, ndërsa uji ka mbuluar edhe bulevardin kryesor.
Probleme janë raportuar edhe në Bashkinë e Gramshit, ku era e fortë dhe reshjet kanë sjellë vështirësi në qarkullim.
Autoritetet lokale po monitorojnë situatën, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në zonat e prekura nga moti i keq. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet moti i keq
