Përveç muzikës dhe serenatave, festivali “Serenights” në Korçë ka sjellë në vëmendje edhe traditën e produkteve shqiptare. Tradita dhe shija shqiptare janë bërë pjesë e këtij eventi të mrekullueshëm. Mes bizneseve pjesëmarrëse është edhe Kantina Kinolli, e cila prej rreth 9 vitesh është e pranishme në treg me prodhimin e rakisë. Kantina ofron dy lloje produktesh, raki muskat dhe raki të vjetëruar në fuçi lisi për 3 deri në 4 vjet. Një traditë familjare, që tashmë po vijon me një brez të ri, i cili synon të promovojë dhe të çojë më tej këtë produkt tradicional shqiptar.
Andon Kinolli, përfaqësues i kantinës, tregon për produktet që ofrojnë, trashëgiminë familjare dhe lidhjen e veçantë mes rakisë, serenatave dhe mikpritjes korçare. "Kantina Kinolli operon në treg prej rreth 9 vitesh dhe në treg sjell dy lloj rakish: raki muskat dhe raki të vjetëruar në fuçi lisi, e cila vjetërohet për 3-4 vjet në fuçi. Është një produkt shumë i mirë, produkt tradicional shqiptar. Dhe ne po mhemi, si gjeneratë e re që jemi, që kemi marrë përsipër, po mhemi ta ngremë sa më shumë lart”,-tregon Kinolli. Pas këtij aktiviteti qëndron edhe një histori familjare. Prodhimi i rakisë ka nisur nga babai i Andon Kinollit, i cili e përgatiste në mënyrë artizanale për miqtë dhe shokët. Më pas, këtë traditë e mori përsipër brezi i ri, duke vijuar procesin me të njëjtën dashuri për produktin. Kinolli tregon se prodhimi i rakisë kërkon njohuri dhe kujdes, por mbi të gjitha pasion për një proces që familja e tij e ka kthyer në pjesë të jetës së përditshme. “Duhet të dish ato sekretet e saj. Është një proces shumë i bukur, që ne e adhurojmë, e dashurojmë shumë. Me këtë punë ka filluar babai im, i cili e nxirrte rakinë në mënyrë artizanale për shokë e miq. Më pas vazhduam ne”,-shprehet Kinolli. Pjesëmarrja në “Serenights” është një mundësi për të promovuar produktet e kantinës, por edhe për të qenë pjesë e një aktiviteti që lidhet ngushtë me traditën dhe kulturën e Korçës. Sipas Andon Kinollit, rakia dhe serenata kanë një lidhje të veçantë në jetën e qytetit, duke u bërë pjesë e atmosferës së festave dhe e mikpritjes korçare. Përveç publikut vendas, një interes të veçantë për produktet tradicionale shqiptare tregojnë edhe turistët e huaj. Kinolli thotë se vizitorët e vlerësojnë rakinë dhe e mirëpresin atë gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri. Ndërsa për atmosferën e festivalit, ai shprehet entuziast, duke vlerësuar organizimin dhe artistët që janë ngjitur në skenë. Mes tingujve të serenatave dhe atmosferës festive, “Serenights” krijon hapësirë edhe për promovimin e produkteve tradicionale shqiptare. Për Kantina Kinolli, pjesëmarrja në këtë aktivitet është një mundësi për të prezantuar punën dhe trashëgiminë familjare, duke e bërë rakinë pjesë të përjetimit kulturor që Korça u ofron qytetarëve dhe vizitorëve. Një ndërthurje e muzikës, traditës dhe shijes, që i jep festivalit një tjetër dimension dhe sjell në vëmendje vlerat që përcillen brez pas brezi./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

