Një valë e re tarifash doganore amerikane ndaj një game të gjerë mallrash kanadeze ka hyrë në fuqi që nga mesnata e së shtunës, pas dështimit në minutat e fundit të bisedimeve tregtare. Duke njoftuar pezullimin e negociatave pak para afatit të së premtes në mbrëmje, kryeministri kanadez Mark Carney tha se do të vendoste tarifa doganore reciproke “qindarkë për qindarkë” ndaj mallrave amerikane. LEXO edhe...Thoma Gëllçi: Një vështrim përmes sondazheve për zgjedhjet amerikane të nëntorit Carney tha se “ndryshimet e minutës së fundit në kushtet e propozuara nga SHBA-të ishin të padrejta, jo ekonomike dhe vunë në pikëpyetje besueshmërinë e çdo marrëveshjeje”. Negociatorët tregtarë ishin përfshirë në bisedime intensive që prej korrikut, pasi presidenti Donald Trump kërcënoi se do të vendoste një tarifë doganorë prej 50% ndaj gati 20 miliardë dollarëve amerikanë importe kanadeze deri më 19 gusht. Trump i pezulloi përkohësisht këto tarifa doganore në fillim të javës, duke thënë se të dyja palët ishin pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje tregtare që do të ishte “shumë e mirë” për të dyja vendet. Por, vetëm pak minuta para afatit për arritjen e një marrëveshjeje, Carney tha se, ndonëse në bisedime ishte bërë “përparim i rëndësishëm”, ai “nuk ishte i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat tona për kanadezët”. “Si rezultat, këtë mbrëmje kam vendosur të pezulloj negociatat tregtare me SHBA-të dhe u kam kërkuar negociatorëve të kthehen në Ottawa”, tha ai. “Ndryshimet e minutës së fundit në kushtet e propozuara nga SHBA-të ishin të padrejta, joekonomike dhe vunë në pikëpyetje besueshmërinë e çdo marrëveshjeje”. Pas njoftimit të Carney-t, përfaqësuesi tregtar i SHBA-ve, Jamieson Greer, tha në një deklaratë: “Sonte, Kanadaja refuzoi të përfnte marrëveshjen tregtare sipas kushteve të dakordësuara në fillim të kësaj jave. Pavarësisht ofertës së SHBA-ve për t’i dhënë Kanadasë trajtimin më të favorshëm që mund të marrë çdo eksportues i madh në tregun tonë, kërkesat e reja dhe tërheqja nga angazhime të tjera nga ana e Kanadasë kanë prishur ekuilibrin e kujdesshëm të arritur gjatë ditëve të fundit”, shkruhej në deklaratën e publikuar në X. Dështimi i bisedimeve shënon një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, krahasuar me fillimin e javës, kur zyrtarët amerikanë dhe kanadezë shpreheshin optimistë se një marrëveshje tregtare ishte pranë. Sipas raportimeve, negociatorët po diskutonin një marrëveshje që do t’i ulte tarifat doganore amerikane ndaj çelikut dhe aluminit kanadez nga 50% në 25%, ndërsa tarifat ndaj automjeteve kanadeze do të uleshin nga 25% në 15%. Në këmbim, Carney kishte kërkuar që provincat kanadeze të rikthenin pijet alkoolike amerikane në raftet e dyqaneve. Tensionet mes dy partnerëve të mëdhenj tregtarë kanë nisur që kur Trump u rikthye në detyrë në janar të vitit të kaluar dhe nisi një program të gjerë tarifash doganore në mbarë botën, duke përmbysur tregtinë e lirë që vijonte prej dekadash midis Kanadasë dhe SHBA-ve. Tani që bisedimet kanë dështuar, Kanadaja do të përballet me tarifa të reja amerikane prej 50%, të vendosura nga Trump duke përdorur një ligj të epokës së Depresionit të Madh, të njohur si Akti i Tarifave i vitit 1930. Tarifat do të zbatohen ndaj një sërë mallrash, përfshirë verën, produktet e qumështit, çimenton, veshjet dhe pajisjet e hokejit. Ato u shtohen tarifave ekzistuese që SHBA-të kishte vendosur tashmë ndaj çelikut dhe aluminit kanadez, automjeteve dhe lëndës drusore. Bizneset dhe grupet e interesit në të dyja anët e kufirit kishin bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje, duke argumentuar se tarifat e reja doganore amerikane ndaj Kanadasë do të dëmtonin të dyja vendet. Dhoma Amerikane e Tregtisë deklaroi në fillim të javës se “tarifat më të larta doganore do të dëmtonin të dyja ekonomitë, do të rrisnin kostot për familjet amerikane, do të shkaktonin ndërprerje të mëtejshme në zinxhirët kritikë të furnizimit dhe do të vinin në rrezik 13 milionë vende pune në SHBA që varen nga tregtia në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë SHBA–Meksikë–Kanada.” P.J/ReportTv.al SHBA kanada Mark Carney donald trump Tarifat Doganore te Trump Komento Komente Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 57.4% Shoqëria 26.8% Social media 15.8% Vota total: 5934 Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?

