Ministri i Brendshëm, Ervin Demo Ministri pranoi gjithashtu se gjatë ndërhyrjeve në protesta ka pasur raste kur efektivët kanë tejkaluar proporcionalitetin në ushtrimin e detyrës. Ai bëri të ditur se shtatë punonjës policie janë pezulluar dhe ndodhen nën hetim, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po heton 91 raste të referuara nga qytetarët, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës... Një ditë përpara protestës së radhës kombëtare, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, në një konferencë për shtyp së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bën bilancin e protestave të javëve të fundit, duke raportuar 347 persona kanë përfunduar të lënduar, mes tyre punonjës policie, protestues, kalimtarë dhe gazetarë.
Demo e cilësoi situatën të rëndë, ndërsa deklaroi se intensiteti i dhunës gjatë protestave ka qenë i paprecedentë. Sipas tij, rreth 200 prej të lënduarve janë punonjës të Policisë së Shtetit, 107 protestues dhe rreth 39 kalimtarë.
"Javët e fundit kanë qenë shumë sfiduese për Policinë e Shtetit. Përballë dhunës së tejskajshme, dhe një bilanci tepër negativ përsa i përket të lënduarve. Në total janë 347 të lënduar. Dhe në fillim unë do të doja të bëja diferencim midis punonjësve të Policisë së Shtetit apo protestuesve apo kalimtarëve. Por në vetvete ky numër tregon që intensiteti i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë. Në qoftë se i referohemi shifrave, nga 347 të lënduar, rreth 200 prej tyre janë punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pësuar dëmtime të ndryshme, disa prej tyre dhe të rënda, por që fatmirësisht sot janë jashtë rrezikut për jetën. Janë 107 protestues të lënduar dhe rreth 39 kalimtarë, të cilët po ashtu janë lënduar gjatë protestave. Këtu përfshihet dhe një numër i konsiderueshëm gazetarësh të cilët janë dëmtuar gjatë mbulimit të protestës", deklaroi Demo.
Ministri pranoi gjithashtu se gjatë ndërhyrjeve në protesta ka pasur raste kur efektivët kanë tejkaluar proporcionalitetin në ushtrimin e detyrës. Ai bëri të ditur se shtatë punonjës policie janë pezulluar dhe ndodhen nën hetim, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po heton 91 raste të referuara nga qytetarët, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
"Ne garantojmë të drejtën kushtetuese për të gjithë qytetarët për të protestuar paqësisht, dhe patjetër angazhimi ynë është i qartë përsa i përket proporcionalitetit të ndërhyrjes së Policisë së Shtetit kur konstatohet dhunë. Dhe në fakt, edhe në ato raste kur punonjës të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë veprime individuale të cilat kanë kaluar masën e proporcionalitetit, Policia e Shtetit ka ndërmarrë menjëherë masat e duhura duke filluar edhe me pezullimet përkatëse dhe janë 7 punonjës të Policisë së Shtetit të cilët janë pezulluar. Dhe tashmë janë nën hetim përsa i përket veprimeve të cilat ata kanë ndërmarrë. Por po ashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është duke punuar në dhjetëra raste të cilat janë referuar nga qytetarë të ndryshëm përsa i përket veprimeve të Policisë së Shtetit. Pra në 91 raste ku agjencia ka ndërmarrë hetim të rasteve specifike dhe ndërkohë bashkëpunon dhe me Prokurorinë e Tiranës përsa i përket hetimit të këtyre ngjarjeve", u shpreh ministri.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Demo lidhet me kërcënimet ndaj punonjësve dhe drejtuesve të policisë në rrjetet sociale. Sipas tij, janë referuar raste konkrete të publikimit të identiteteve të efektivëve dhe thirrjeve për sulme ndaj tyre.
"Policia e Shtetit ka referuar raste specifike përsa i përket kërcënimeve që u janë bërë drejtuesve të caktuar apo punonjësve të caktuar të Policisë së Shtetit nga individë të caktuar, të cilët kanë përdorur kanalet e komunikimit në rrjetet publike për identifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe organizimin dhe bërjen thirrje të sulmeve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Ky është një akt i paprecedentë, është një akt i cili nuk do të tolerohet dhe ne do të ndjekim të gjitha hapat e duhura ligjore për të garantuar që çdo punonjës i Policisë së Shtetit ta ushtrojë detyrën dhe përgjegjësitë që ka, duke pasur mbrojtje të plotë ligjore", deklaroi Demo.
Ministri u ndal edhe te përfshirja e të miturve në protesta, duke deklaruar se 269 persona nën moshën 18 vjeç janë shoqëruar gjatë javëve të fundit. Ai akuzoi organizatorët e protestave se i kanë vendosur të miturit në vijën e parë të përplasjeve, ndërsa kërkoi angazhim ndërinstitucional për parandalimin e këtij fenomeni.
"Të miturit janë përdorur nga organizatorët të cilët i kanë vënë ata në vijën e parë të sulmit, në vijën e parë të dhunës, dhe duke qëndruar vetë pas këtyre të miturve. Në fakt shifrat e shoqërimit tregojnë po ashtu qartazi që numri i të miturve që kanë marrë pjesë në protestë është shumë shqetësues. Janë 269 të shoqëruar nën moshën 18 vjeç. Kjo tregon më së miri sfidën e madhe që ne kemi ndërinstitucionale, për të adresuar këtë fenomen shqetësues. Dhe këtu unë flas përsa i përket rolit që do të ketë shkolla, Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, për të adresuar një plagë që në fakt është një fenomen që ne duhet t'i japim përgjigjen e duhur, për ta parandaluar në burim", tha ai.
Në këtë kuadër, Demo njoftoi se qeveria ka miratuar një akt normativ që parashikon instrumente të reja ligjore për menaxhimin e tubimeve të paligjshme dhe dhunës gjatë protestave. Sipas tij, familjet do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara nga të miturit e përfshirë në vandalizëm, ndërsa për pjesëmarrësit në protesta të dhunshme parashikohen gjoba administrative dhe krijimi i një regjistri kombëtar.
"Qeveria shqiptare tashmë ka miratuar aktin normativ përsa i përket instrumentave të reja ligjore që i vihen në dispozicion Policisë së Shtetit, përsa i përket menaxhimit të tubimeve të paligjshme apo dhunës së ushtruar në këto tubime. Duke filluar nga të miturit, që është një masë në fakt që është ndërmarrë edhe në vendet e Bashkimit Evropian, duke filluar nga Italia e Franca, ku në fakt përcaktohet që nëse një i mitur merr pjesë në vandalizëm, nëse një i mitur merr pjesë në dhunë, dëmet që shkaktohen si rrjedhojë e këtyre veprimeve, do të mbulohen nga familjet e tyre. Po ashtu ata të cilët marrin pjesë në protesta të dhunshme do të kenë masa administrative duke filluar nga gjoba, dhe elementë të tjerë, duke përmendur në veçanti regjistrin kombëtar të individëve të dhunshëm, të cilët kanë marrë pjesë në manifestime në territor", deklaroi ministri.
Demo paralajmëroi gjithashtu investime të reja teknologjike në Policinë e Shtetit, duke nisur me vendosjen e kamerave të trupit për efektivët në Tiranë. Ai tha se kamerat do të përdoren si për dokumentimin e veprimeve të paligjshme gjatë protestave, ashtu edhe për garantimin e ligjshmërisë së ndërhyrjeve policore.
"Ne kemi konstatuar që nevoja për fuqizimin teknologjik të Policisë së Shtetit tashmë është imperative, dhe ne do të punojmë fuqimisht që të ecim me hapa të shpejtë përsa i përket përdorimit të teknologjisë në punën që ushtron Policia e Shtetit. Dhe unë do të doja të përmendja një element të parë që do të jetë shumë i rëndësishëm përsa i përket transparencës së veprimeve të Policisë së Shtetit, që janë kamerat e trupit, që ne shumë shpejt do t'i vendosim në funksion, duke filluar me punonjësit e Policisë së Shtetit në Bashkinë e Tiranës. Ku do të kemi tashmë përdorimin e këtyre imazheve për të faktuar edhe dhunën apo veprave të jashtëligjshme që ndërmerren nga individë të caktuar, por në të njëjtën kohë për të garantuar që veprimet e Policisë së Shtetit janë gjithmonë brenda kornizës ligjore", u shpreh Demo.
Sipas ministrit, teknologjia po përdoret tashmë për identifikimin e personave të maskuar që dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve, bizneseve private dhe punonjësve të policisë. Ai tha se materialet për disa prej këtyre rasteve i janë referuar Prokurorisë së Tiranës dhe kërkoi një përgjigje të njëtrajtshme nga organet e drejtësisë.
"Siç e shikoni dhe nga materialet, këto janë disa prej shembujve të cilët ne tashmë kemi identifikuar, materiale i është referuar Prokurorisë së Tiranës, ku qartazi duken individë që të maskuar kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve, kanë ushtruar dhunë ndaj bizneseve private, kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Por ndërkohë falë teknologjisë ne tashmë kemi evidentuar identitetin e tyre dhe jemi duke ndërmarrë të gjitha hapat ligjore përsa i përket përgjegjësisë ligjore penale që ky individ duhet të ketë. Dhe këtu unë do të doja t'i bëja një thirrje dhe Prokurorisë së Tiranës, dhe gjykatave, për një përgjigje uniforme në mbrojtje të shtetit, pronës, sigurisë kolektive", deklaroi ai.
Gjatë konferencës, ministri njoftoi edhe rritjen e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, të parashikuar në projektbuxhetin e dorëzuar në Kuvend. Sipas tij, paga bazë do të rritet me 20 mijë lekë, ndërsa për punonjësit e tjerë është parashikuar një shtesë prej 15 mijë lekësh.
"Siç e kam përmendur që në datën 7 tetor në fillimin e shkollës në Akademinë e Sigurisë, përsa i përket nivelit bazë të pagës kjo do të rritet me plus 20 mijë lekë të reja, por patjetër dhe të gjithë punonjësit e tjerë të policisë me plus 15 mijë lekë të reja. Kjo është një rritje e konsiderueshme e cila është ndër rritjet më të larta historike përsa i përket trajtimit financiar të strukturave të Policisë së Shtetit dhe është një trajtim më se i merituar përsa i përket angazhimit të tyre në territor për të garantuar rend e siguri publike", tha Demo.
Në përfundim, ministri theksoi se Policia e Shtetit do të vijojë të garantojë të drejtën e protestës paqësore, por do të ndërhyjë ndaj çdo akti dhune që cenon institucionet, pronën apo sigurinë e qytetarëve.
"Policia e Shtetit është aty për të ndihmuar qytetarët, për të mbështetur qytetarët, për të garantuar tubimet e ligjshme paqësore të çdo qytetari në të gjithë territorin e Shqipërisë. Policia e Shtetit është aty për mos t'u përballur në mënyrë të dhunshme me askënd, por Policia e Shtetit patjetër që do të reagojë në momentin që ne kemi dhunë e cila drejtohet kundrejt institucioneve publike, kundrejt biznesit, kundrejt institucioneve financiare apo individëve të cilët mund të ndodhen rastësisht pjesë në një protestë", përfi Demo. demo policia Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Do të mbahen më 9 maj 2027, Presidenti Begaj dekreton datën për zgjedhjet lokale 30 Tetor 2026, 15:1315:13Politike Paraburgimi i Erion Veliajt, zyrtari europian: T'i garantohet proces i drejtë! 30 Tetor 2026, 13:2813:28Politike Protestat në Shqipëri, ambasadorja e BE-së mesazh të fortë Ramës 30 Tetor 2026, 13:1813:18Politike Sprova e së shtunës për të hyrë në qeverinë e unitetit 30 Tetor 2026, 12:5712:57Politike "Takohuni me bazën", zbardhet urdhri i Ramës për ministrat dhe drejtuesit e qarqeve 30 Tetor 2026, 11:5311:53Politike Tabaku: Protestat i grisën fasadën Ramës, Parlamenti s'mund të bëjë sikur nuk sheh realitetin 30 Tetor 2026, 11:2711:27Politike

