Policia Rrugore ka vendosur 78 masa administrative ndaj këmbësorëve që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Shkeljet janë evidentuar edhe përmes pamjeve të filmuara me dron.
Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në terren për të evidentuar dhe ndëshkuar këmbësorët që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë vendosur 78 masa administrative ndaj këmbësorëve që kanë kaluar rrugën në vende të palejuara, pa përdorur vendkalimet e përcaktuara për ta.
Në pamjet e filmuara me dron, shfaqen këmbësorë që kapërcejnë karrexhatën mes automjeteve, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Për këtë shkelje, gjoba është 1 mijë lekë të reja (10 mijë lekë të vjetra).

