Këngëtari i njohur britanik Ed Sheeran është përlotur gjatë koncertit të tij në Filadelfia, teksa ka folur për një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, mes polemikave që kanë përfshirë turneun dhe largimit të reperit Macklemore.
Gjatë performancës së mbajtur të shtunën, më 19 shtator, në Lincoln Financial Field, Sheeran u ndal për t’iu drejtuar publikut, duke pranuar se java e fundit kishte qenë veçanërisht e vështirë për të.
“Ka qenë një nga javët më të këqija të jetës sime”, u shpreh artisti, i cili më pas tregoi se kishte pasur dyshime nëse do të vazhdonte turneun dhe nëse dëshironte të ngjitej sërish në skenë.
Në një moment emocionues, këngëtari foli edhe për marrëdhëniet me njerëzit e afërt, duke thënë se shumë prej tyre e kishin këshilluar të anulonte koncertet.
“Të gjithë po më thonë ta anuloj turneun dhe po ndiej se miqtë, familja dhe njerëzit që njoh po më braktisin”, tha Sheeran, ndërsa u përlot para mijëra fansave.
Megjithatë, ai gjeti mbështetje te publiku i pranishëm, duke falënderuar rreth 50 mijë spektatorët që kishin ardhur për ta ndjekur.
“Shikoj 50 mijë njerëz që nuk më kanë braktisur. Njerëzit mund të thonë çfarë të duan, por këtë po e bëj për ju. Ju dua”, u shpreh këngëtari.
Emocionet e tij vijnë pas një jave të trazuar për turneun, pas largimit të reperit Macklemore, i cili ishte përfshirë në polemika për deklaratat e tij në mbështetje të Palestinës.
Macklemore u largua nga turneu pas reagimeve ndaj fjalimit të tij pro-palestinez gjatë një koncerti të mëparshëm. Pas këtij vendimi, edhe artistë të tjerë që shoqëronin Sheeran në turne u tërhoqën, në shenjë solidariteti me reperin.
Përpara koncertit në Filadelfia, Sheeran iu drejtua publikut edhe për çështjen e Palestinës, duke folur për krizën humanitare në Gaza dhe duke shprehur shqetësimin për kufizimin e lirisë së shprehjes së artistëve.
Ai pranoi se nuk kishte dashur të bëhej një artist që komenton politikën, por tha se situata e kishte vendosur përballë një debati të rëndësishëm për lirinë e fjalës dhe çështjet humanitare.
Pavarësisht presionit dhe thirrjeve për anulimin e turneut, Sheeran vendosi të vijojë koncertet, duke e cilësuar performancën në Filadelfia si një nga më të mirat e karrierës së tij.
Burimi: New York Post

