Një lajm i trishtë ka tronditur familjen e supermodeles së njohur Cindy Crawford. Djali i saj, Presley Gerber, ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, Presley, djali i Cindy Crawford dhe biznesmenit Rande Gerber, u nda nga jeta të dielën, më 20 shtator, në një qendër rehabilitimi në Los Angeles. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik.
Lajmi është konfirmuar nga një përfaqësuese e familjes, e cila ka kërkuar respektimin e privatësisë së tyre në këtë moment të vështirë.
“Familja po kërkon privatësi gjatë kësaj kohe shumë të vështirë dhe të dhimbshme”, është shprehur ajo.
Presley ishte fëmija i madh i çiftit dhe vëllai i modeles Kaia Gerber. Ai ndoqi rrugën e së ëmës në industrinë e modës, duke nisur karrierën që në adoleshencë.
Në moshën 15-vjeçare, ai nënshkroi kontratë me agjencinë e njohur IMG Models, ndërsa më vonë u shfaq në pasarela dhe fushata të markave të njohura ndërkombëtare, mes tyre Moschino, Dolce & Gabbana, Calvin Klein dhe Burberry.
Përtej karrierës në modë, Presley kishte folur hapur edhe për vështirësitë personale, përfshirë depresionin, varësinë dhe shëndetin mendor. Në rrjetet sociale, ai kishte ndarë përvojat e tij përmes serisë “Mental Health Mondays”, duke synuar të ndërgjegjësonte të tjerët dhe t’u tregonte se nuk janë vetëm në betejat e tyre.
Motra e tij, Kaia Gerber, kishte folur së fundmi për vështirësitë që varësia e të vëllait kishte sjellë për familjen, duke përshkruar ndikimin e kësaj situate te të gjithë anëtarët e saj.
Humbja e Presley-t vjen si një goditje e rëndë për familjen Crawford-Gerber. Ndërkohë, autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur shkakun e vdekjes së 27-vjeçarit.
Burimi: People

