Edhe pse ndodhen rreth 400 kilometra larg Tokës, astronautët amerikanë nuk kanë hequr dorë nga e drejta e tyre për të votuar. Tre pjesëtarë të NASA-s kanë marrë pjesë në zgjedhjet afatmesme amerikane nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor, duke përdorur një sistem elektronik të sigurt për të dërguar votat e tyre në Tokë.
Bëhet fjalë për astronautët Anil Menon, Jessica Watkins dhe Luke Delaney, të cilët votuan më 3 nëntor, ndërsa miliona amerikanë iu drejtuan kutive të votimit.
Ishte Anil Menon ai që ndau përvojën në rrjetin social X, ku publikoi edhe një video 29-sekondëshe. Në pamje, ai tregon një ngjitëse me mbishkrimin “I voted” (Unë votova) dhe vendin ku kreu procesin, që në fakt është kabina e tij private në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Astronauti shpjegoi se plotësoi fletëvotimin elektronik në kompjuterin e tij dhe e dërgoi në Qarkun Harris të Teksasit, ku është regjistruar për të votuar.
Por si arrin një votë nga hapësira deri te autoritetet zgjedhore në Tokë?
Procesi nis me kërkesën për një fletëvotim në mungesë, përmes formularit Federal Post Card Application, që përdoret edhe nga ushtarakët amerikanë që shërbejnë jashtë vendit.
Pasi plotësohet nga astronauti, fletëvotimi transmetohet përmes rrjetit satelitor të NASA-s drejt një antene tokësore në White Sands, në New Mexico. Prej andej, të dhënat dërgohen në Qendrën e Kontrollit të Misioneve në Houston dhe më pas te zyrtari zgjedhor përkatës.
Për të garantuar sigurinë e procesit, fletëvotimi është i koduar dhe mund të aksesohet vetëm nga astronauti dhe zyrtari i autorizuar zgjedhor.
Ajo që mund të duket si një proces i pazakontë, në fakt ka një histori gati 30-vjeçare. Astronautët amerikanë kanë të drejtë të votojnë nga hapësira që prej vitit 1997, kur Teksasi miratoi ligjin që u mundësonte pjesëtarëve të NASA-s të ushtronin këtë të drejtë edhe gjatë qëndrimit në orbitë.
I pari që e realizoi ishte astronauti David Wolf, i cili votoi nga stacioni hapësinor rus Mir, po në vitin 1997.
Kështu, edhe në një kabinë të vogël që rrotullohet rreth Tokës me mijëra kilometra në orë, e drejta për të votuar mbetet e pandryshuar.

