Vendimi i GJKKO-së për sekuestrimin e vilës 188 në kompleksin “Green Coast” përmban një sërë komunikimesh dhe emailesh të administruara nga Prokuroria gjatë hetimit. Në dokumentet e përfshira në vendim dalin komunikime për projektimin, ndryshimet në hapësirat e vilës, pishinën dhe punimet, ndërsa në pjesë të tjera të dosjes pasqyrohen edhe mesazhe që lidhen me procedurën e tenderimit të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Një pjesë e komunikimeve për vilën lidhet drejtpërdrejt me adresën elektronike të Belinda Ballukut dhe me kërkesat për ndryshime në projekt.
Në një email të 14 shtatorit 2020, Alban Efthimi i dërgon në adresën e Ballukut mesazhin me subjektin “PLANE REV 01”, ku paraqiten propozime për organizimin e hapësirave, shkallët, parkimin, pishinën dhe tarracën.
Në email shkruhet edhe: “Kemi ide edhe nëse një ditë vendos ta japësh me qera.”
Katër ditë më pas, më 18 shtator 2020, në të njëjtën adresë elektronike dërgohet një tjetër email, bashkëngjitur me dokumentin “200918_VILAT BINJAKE 188_PALASË.pdf”, ku, sipas vendimit, përfshiheshin planimetri dhe projekte të dy vilave.
Ndërkohë, më 12 tetor, studioja shprehet se për volumet e mbyllura me xham nuk mund të merrte përsipër zgjidhjen pa një përcaktim teknik, për shkak të problematikave që mund të krijonin kushtet klimatike të zonës.
Komunikimet e administruara në dosje vijojnë edhe gjatë viteve 2021 dhe 2022, ku diskutohen ndryshime të tjera në vilë.
Në një prej tyre përmendet ndryshimi i mureve dhe zgjerimi i hapësirave. Një tjetër komunikim i referohet aprovimit të klientit për ndryshimin e korridorit të vilës 188. Sipas këtij komunikimi, Olsi Efthimi kishte kërkuar ngushtimin e korridorit për t'u krijuar më shumë hapësirë dhomave.
Në dosje përfshihen gjithashtu materiale për pishinën dhe xhakuzin, si dhe komunikime për prishjen e mureve dhe ndryshime të tjera në projekt.
25 mijë euro për pishinënNjë tjetër element i përmendur në vendim lidhet me punimet e pishinës.
Sipas të dhënave të administruara në kuadër të hetimit, në sistemin financiar të kompanisë “SuperPool Kimya”, në rubrikën e klientit rezultonte shënimi: “PISHINA ARBER ABAZI (DHERM + BELINDA)”.
Në dokumentacionin e përshkruar nga gjykata rezultojnë dy fatura për punimet e pishinës: njëra prej 15 mijë eurosh, me përshkrimin “Shtrim linja tubash, faza 1 pishinë”, dhe tjetra prej 10 mijë eurosh, me përshkrimin “Parapregim”.
Në total, bëhet fjalë për 25 mijë euro.
Pjesë tjetër e vendimit i referohet komunikimeve të administruara nga telefoni i Evis Berberit, përfshirë edhe mesazhe me Miranda Shkurtin.
Në datën 11 gusht 2021, në lidhje me procedurën e tenderit, Miranda Shkurti i dërgon Berberit një mesazh ku shkruan:
“Hapen ofertat e 15 shtatorit 2021?”
Në komunikimet pasuese diskutohen ofertat dhe operatorët ekonomikë pjesëmarrës. Në një prej mesazheve, Shkurti i dërgon Berberit fotografi ku shfaqen emrat e operatorëve dhe vlerat e ofertave.
Më 1 tetor 2021, Balluku i shkruan Evis Berberit:
“Behu gati per unazat te henen ne mengjes.”
Sipas vendimit, në vijim të këtij komunikimi Balluku i shkruan Berberit edhe për një takim dhe për dokumentacion që lidhej me procedurën.
Katër ditë më vonë, më 5 tetor, Berberi i dërgon Ballukut një mesazh ku e informon se kishte ardhur një gazetar i emisionit “Stop” dhe kërkonte informacion për procedurën e prokurimit për Lotin 1.
Në përgjigje, sipas vendimit të GJKKO-së, Balluku shkruan:
“Te plasi trapi bej punen dhe zbato ligjin Kur te ve ty afati i Pergjigjes.” Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

