Federata Gjermane e Futbollit (DFB) konfirmoi zyrtarisht të premten emërimin e Jürgen Klopp si trajner të ri të kombëtares gjermane, duke zëvendësuar Julian Nagelsmannin, i cili u largua nga posti pas zhgënjimit të Gjermanisë në Kupën e Botës 2026. Presidenti i DFB-së, Bernd Neuendorf, e cilësoi Kloppin si një personalitet që “mishëron pasionin, besueshmërinë dhe aftësinë për të frymëzuar njerëzit”.
Në konferencën e tij të parë për shtyp si përzgjedhës i Gjermanisë, Klopp vendosi menjëherë disa kufij të qartë në marrëdhënien me mediat, duke folur hapur për mënyrën se si e sheh misionin e tij të ri.”Ditën që nuk më doni më, unë largohem – pa asnjë kompensim. Nëse nesër thoni se jam i keq, unë largohem. Sigurisht, nuk mjafton ta thotë vetëm një person, por nëse është mendimi i përgjithshëm, largohem. Nëse DFB-ja thotë se nuk jam trajneri i duhur, largohem. Por nëse silleni keq dhe nuk e lini familjen time të qetë, atëherë largohem.”
Klopp theksoi se nuk ka frikë nga kritikat, për sa kohë ato lidhen me punën e tij.”Më kritikoni nëse diçka nuk funksionon. Do ta pranoj dhe do të përpiqem ta përmirësoj. Gjithçka ka të bëjë me punën. Jürgen Klopp nuk do të ketë një karrierë tjetër pas kombëtares. Në mënyrë ideale, ky është kulmi i karrierës sime.”
Deklaratat e ish-trajnerit të Liverpoolit tregojnë se ai është plotësisht i vetëdijshëm për presionin e jashtëzakonshëm që shoqëron pankinën e Gjermanisë. Njëkohësisht, ai bëri të qartë se kritikat ndaj tij janë pjesë e profesionit, por se nuk do të tolerojë cenimin e jetës private dhe të familjes së tij. Top Channel

