Lajme Zone
“Julian jashtë”/ Tifozët e Atletico Madridit kërkojnë largimin e Alvarez, vendosin pankarta pranë kompleksit stërvitor
SportTop Channel

“Julian jashtë”/ Tifozët e Atletico Madridit kërkojnë largimin e Alvarez, vendosin pankarta pranë kompleksit stërvitor

Çështja e Julián Álvarez vijon të shkaktojë tensione te Atlético Madrid. Pas refuzimit të prerë të klubit madrilen për ta lejuar transferimin e argjentinasit te Barcelona, tashmë edhe një pjesë e tifozëve kanë shfaqur hapur pakënaqësinë ndaj sulmuesit.

Çështja e Julián Álvarez vijon të shkaktojë tensione te Atlético Madrid. Pas refuzimit të prerë të klubit madrilen për ta lejuar transferimin e argjentinasit te Barcelona, tashmë edhe një pjesë e tifozëve kanë shfaqur hapur pakënaqësinë ndaj sulmuesit. Të premten, pranë qendrës stërvitore të Atlético Madridit në Majadahonda janë shfaqur pankarta kundër Julián Álvarez, në të cilat shkruhej “Julián jashtë”, ndërsa numri 19, që sulmuesi mban te skuadra madrilene, ishte i kryqëzuar.

Pakënaqësia e tifozëve ishte shfaqur edhe gjatë ndeshjes ndaj Málaga-s, kur një pjesë e tribunës së jugut e ofendoi sulmuesin argjentinas në minutat shtesë.

E ardhmja e Álvarez vazhdon të jetë e paqartë. Barcelona e ka pasur sulmuesin si një nga objektivat kryesorë, por Atlético Madrid ka mbajtur një qëndrim të prerë kundër transferimit të tij në Camp Nou.

Në të njëjtën kohë, Arsenali është i interesuar për argjentinasin dhe kjo mund të ndryshojë situatën. Klubi madrilen e sheh me interes mundësinë e një marrëveshjeje me londinezët, veçanërisht pasi Viktor Gyökeres është një nga lojtarët që pëlqehet në Metropolitano dhe mund të shërbejë si zëvendësues i Álvarez.

Julián Álvarez kishte shprehur më herët dëshirën për t’u larguar nga Atlético dhe për të realizuar atë që e kishte cilësuar si “ëndërr”, duke iu referuar transferimit te Barcelona. Megjithatë, prej asaj kohe ai nuk ka bërë deklarata të reja publike për të ardhmen e tij.

Në Madrid, drejtuesit e Atlético-s e kanë bërë të qartë se nuk duan ta shesin te Barcelona. CEO i klubit, Miguel Ángel Gil Marín, e ka konsideruar qëndrimin e Barcelonës si mungesë respekti, ndërsa oferta e katalanasve prej rreth 100 milionë eurosh, e parashikuar për t’u paguar në gjashtë këste, nuk është konsideruar e kënaqshme nga drejtuesit madrilenë.

Tashmë, përplasja mes klubit, lojtarit dhe tifozëve po bëhet gjithnjë e më e dukshme, ndërsa ditët e fundit të merkatos mund të përcaktojnë nëse Álvarez do të qëndrojë në Madrid apo do të nisë një aventurë të re. Top Channel