Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania lidhur me rrezikun që po krijojnë motorët e ujit (jetski) pranë zonave ku lahen pushuesit.
Këtë herë shqetësimi vjen nga plazhi i Semanit në Fier, ku qytetarët kanë dërguar edhe një video që, sipas tyre, tregon një jetski duke lëvizur shumë pranë bregut, në një zonë ku ndodheshin familje dhe fëmijë në det.
Sipas denoncuesit, fenomeni përsëritet prej disa ditësh dhe, pavarësisht se kanë tentuar të kërkojnë ndërhyrjen e Policisë, situata nuk ka ndryshuar.
"Kemi ardhur për pushime në plazhin e Semanit me familjet tona, por po na rrezikohet jeta e fëmijëve nga motorët e ujit që lëvizin afër bregut ku lahen fëmijët. Kemi tentuar disa herë të komunikojmë me Policinë, por nuk po marrim zgjidhje për problemin tonë. Është e disata ditë që ky fenomen vazhdon."
Ky nuk është një rast i izoluar. Vetëm gjatë ditëve të fundit, JOQ Albania ka publikuar denoncime të ngjashme nga plazhi i Spillës në Kavajë, nga Velipoja dhe më herët nga Dhërmi, ku mjete lundruese u filmuan duke lëvizur në afërsi të zonave të larjes. Në rastin e Dhërmiut, pas publikimit të pamjeve, Policia Kufitare identifikoi drejtuesin e mjetit, e ndëshkoi me gjobë 500 mijë lekë të rinj dhe bllokoi mjetin lundrues.
Megjithatë, denoncimet që vijojnë të mbërrijnë nga qytetarët tregojnë se ky fenomen mbetet shqetësues në disa plazhe të vendit, duke ngritur pikëpyetje mbi respektimin e rregullave të sigurisë gjatë sezonit turistik.
Shqetësimi është edhe më i madh për shkak të tragjedive që kanë ndodhur në të kaluarën, si rasti i verës së vitit 2022, kur 7-vjeçarja Jolanda Avdiaj humbi jetën pasi u godit nga një mjet lundrues pranë zonës së pushuesve.
JOQ Albania u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të verifikojnë denoncimin e mbërritur nga Semani dhe të marrin masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së pushuesve. Gjithashtu, ftojmë qytetarët që të vijojnë të denoncojnë çdo rast kur mjetet lundruese lëvizin në kundërshtim me rregullat pranë zonave të larjes. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

