Një influencere nga Los Anxhelosi ka përfunduar sërish në pranga, pasi akuzohet se përdorte aplikacionet e takimeve për të krijuar lidhje me persona të pasur dhe më pas dyshohet se u merrte sende me vlerë.
Adva Lavie, e njohur në rrjetet sociale edhe me emrin Mia Ventura, u arrestua nga policia në Beverly Hills më 28 korrik, ndërsa ishte ende nën masë lirimi për akuza të tjera të lidhura me vjedhje dhe grabitje. 29-vjeçarja u ndalua në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar në qarkun Riverside. Autoritetet e akuzojnë gjithashtu se ka shkelur kushtet e lirimit, pasi dyshohet se ka hequr byzylykun elektronik që ishte e detyruar të mbante. Pas arrestimit, gjykata urdhëroi që ajo të mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht. Sipas hetuesve, Lavie dyshohet se përdorte platformat online për të krijuar marrëdhënie romantike me burra të moshuar dhe persona të pasur, duke fituar besimin e tyre përpara se të kishte akses në banesat e tyre. Autoritetet pretendojnë se ajo ka marrë para, bizhuteri dhe sende luksoze gjatë periudhës 2023-2025. Një nga rastet që çoi në hetim lidhet me festivalin Coachella në vitin 2025. Sipas dokumenteve të policisë, Lavie kishte qëndruar në një banesë me qira në Indio me një burrë të identifikuar si Oscar, me të cilin ishte njohur përmes miqve të përbashkët. Ajo dyshohet se më pas mori nga makina e tij një orë Rolex me vlerë rreth 8.600 dollarë, syze Louis Vuitton dhe sende të tjera luksoze. Kamerat e sigurisë thuhet se kanë regjistruar momentin kur ajo merrte sendet, ndërsa viktima deklaroi për mediat amerikane se ishte ndjerë i tradhtuar dhe i cenuar. Lavie përballet me disa akuza penale, përfshirë vjedhje të rëndë, hyrje të paligjshme në banesa dhe përdorim të paautorizuar të të dhënave personale. Ajo ka deklaruar pafajësi ndaj akuzave. Rasti ka marrë vëmendje të madhe në SHBA edhe për shkak të profilit të saj publik, pasi Lavie është shfaqur më parë në revista mode dhe platforma të rrjeteve sociale./ Burimi: People

