Kryeministri Edi Rama ka komentuar kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e tij, duke deklaruar se shteti nuk mund të dorëzohet përballë protestave. Gjatë komunikimit të tij, Rama u shpreh se largimi i tij nga detyra do të ndërpriste, sipas tij, procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë theksoi se nuk bëhet fjalë për pushtetin e tij personal, por për atë që e cilësoi si tryezën e negociatave me BE-në. Ai u bëri thirrje shqiptarëve të mendojnë për zgjedhjen mes kërkesave të protestuesve dhe vijimit të procesit të integrimit europian, ndërsa deklaroi se është i gatshëm për dialog me këdo që dëshiron të diskutojë se çfarë mund të bëhet më mirë. Rama u ndal edhe te procesi i negociatave, duke thënë se ai ka një kalendar të përcaktuar dhe kërkon punë të përditshme e kontakte të vazhdueshme me Brukselin. Sipas tij, largimi i tij do të sillte ndërprerjen e këtij procesi dhe do të kërkonte kohë për t’u rifilluar. “Le ta ndërpresim këtu dhe unë ftoj këdo që do të bëjë dialog të flasim çfarë doni dhe ç’mund të bëjmë gjërat më mirë. Nuk është çështje e pushtetit tim, nuk kam asgjë për t’i provuar vetes më. Jo me arrogancë, por krenar, bëj vetëm udhëtimet e domosdoshme, nuk kam më as dëshirë të udhëtoj për pushtet. Pasuri? Çfarë të them, është e kotë të flas për këtë. Nuk është pushteti im në lojë, por tryeza e negociatave. Shqiptarët duhet të mendojnë qartë: duan këtë apo BE-në?
Do të thonë disa: Pse ike dhe s’do të shkojmë ne në BE? Nuk po them që jeni të paaftë ta çoni Shqipërinë në BE, jeni ziliqarë, të paaftë, ziliqarë, sepse nuk më mundni dot me fjalë dhe ju ka ardhur dita te guri. E nisët me shishe uji e vezë dhe arritët te guri.
Le ta themi që janë kaq të aftë, negociatat kanë kalendar. Dritarja është hapur tani, kalendari kërkon që çdo ditë të japim e të marrim, ka çdo ditë fluturim në Bruksel e anasjelltas. Kjo ndërpritet nëse unë iki dhe vjen neokomunisti apo matufepsi, u duhet një kohë e gjatë”, deklaroi Rama. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
