Studentët nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga protestat kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkesa për dorëheqjen e tij mbetet e panegociueshme. Një i ri protestues, në një prononcim për News24 nga tubimi përpara Ministrisë së Arsimit, deklaroi se studentët do të vijojnë të qëndrojnë në shesh çdo ditë dhe çdo natë, deri në largimin e Ramës nga pushteti. Ai e cilësoi qeverisjen e kryeministrit si diktaturë, duke theksuar se këtë realitet, sipas tij, duhet ta kuptojnë edhe mbështetësit e Partisë Socialiste. I riu iu referua edhe zhvillimeve të fundit në Serbi, duke deklaruar se protestat studentore atje kanë treguar fuqinë e rinisë dhe të qytetarëve për të sjellë ndryshime politike. Ndërkohë, ai përjashtoi kategorikisht çdo mundësi dialogu me kryeministrin, duke theksuar se e vetmja kërkesë e protestuesve është dorëheqja e tij. “Protesta do të vazhdojë deri në dorëheqjen e Ramës. Jemi këtu çdo ditë, çdo natë, derisa të tërhiqet Rama. Kjo është diktaturë, diktatura e Ramës, por këtë gjë duhet ta kuptojnë edhe vetë komunistët, se po jetojmë në diktaturë. Ajo çka ndodhi në Serbi tregon se forca e rinisë dhe e popullit mund të largojë një diktator. Ne jemi gati për çdo gjë. Nuk do të ndodhë kurrë dialog me Ramën. Nuk kemi dialog me të, përveçse dorëheqjen e tij.”, tha i riu. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
