Ditën e hënë vendi do të vijojë nën ndikimin e kushteve relativisht të paqëndrueshme atmosferike, me vranësira të alternuara me intervale të shkurtra kthjellimi. Temperaturat do të luhaten nga 10°C në vlerat minimale, deri në 24°C në ato maksimale. Sipas parashikimit të motit, gjatë orëve të mesditës dhe pasdites priten reshje shiu të herëpashershme, afatshkurtra dhe me intensitet të ulët, kryesisht në zonat malore të qendrës së vendit, si dhe në jug-juglindje.
Reshjet do të jenë më të pranishme gjatë pjesës së dytë të ditës, ndërsa pas orëve të pasdites pritet ndërprerja graduale e tyre.
Një tjetër fenomen që do të shoqërojë mëngjesin do të jetë mjegulla e dendur lokale dhe mjegullina, veçanërisht në zonat luginore. Këto kushte pritet të jenë të pranishme nga orët e mëngjesit deri rreth mesditës, duke sjellë edhe ulje të përkohshme të dukshmërisë.
Era do të fryjë kryesisht nga juglindja dhe lindja, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era pritet të forcohet herë pas here, duke arritur shpejtësinë deri në 14 m/s.
Në det parashikohet valëzim i forcës 2-3 ballë. Në përmbledhje, dita e hënë do të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm, me vranësira, intervale kthjellimi dhe reshje të dobëta e të përkohshme në disa zona, ndërsa temperaturat do të variojnë nga 10°C deri në 24°C. Top Channel

