Japonia planifikon të investojë fuqishëm në dronë sulmues, inteligjencë artificiale dhe raketa me rreze të gjatë, si pjesë e përshtatjes së ushtrisë me format e reja të luftës. Ministria japoneze e Mbrojtjes ka kërkuar një buxhet paraprak prej 8.9 trilionë jenësh, ose rreth 55.6 miliardë dollarë, për vitin fiskal që nis në prill 2027. Shuma përfundimtare pritet të jetë edhe më e lartë, pasi qeveria e kryeministres Sanae Takaichi të miratojë strategjinë e re të sigurisë.
Tokio synon prodhimin vendas dhe në masë të mjeteve pa pilot me kosto të ulët. Dronët sulmues do të përdoren së bashku me raketat me rreze të gjatë për kundërgoditje më të shpejta dhe me më pak rrezik për personelin ushtarak. Parashikohet edhe blerja e dronëve që mund të lëshohen nga ajri ose nën ujë. Mjetet pa pilot shihen gjithashtu si një zgjidhje për mungesën e personelit ushtarak, ndërsa popullsia japoneze plaket dhe tkurret. Megjithatë, zhvillimi i dronëve tërësisht vendas mbetet sfidë, pasi tregu japonez dominohet nga importet kineze.
Ministria kërkon gjithashtu zhvillimin e raketave hipersonike që mund të lëshohen nga nëndetëset, si dhe forcimin e mbrojtjes ajrore me raketa kapëse. Inteligjenca artificiale do të integrohet në sistemet e komandimit për analizimin e fushëbetejës, përzgjedhjen e objektivave dhe përshpejtimin e vendimmarrjes.
Japonia planifikon edhe krijimin e një platforme të quajtur “AI Orchestrator”, e aftë të bashkërendojë disa sisteme të inteligjencës artificiale. Top Channel

