Teksa shëtisja përgjatë rrugës Duval në Key West të Floridës, në shkurt të vitit 2025, nuk ishin restorantet e klasit botëror, baret e veçanta apo dyqanet që shisnin ëmbëlsirën tradicionale me limon jeshil ato që më tërhoqën vëmendjen. Ishin dyqanet e kanabisit. Si një mjek 70-vjeçar në pension, që kisha punuar në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS), dhe studiues nga Leeds, kisha kaluar 40 vjet duke u specializuar në farmakologjinë klinike dhe provat klinike. Megjithatë, gjatë formimit tim profesional, marihuana më ishte paraqitur gjithmonë vetëm si një substancë që mund të abuzohej. Por, duke qenë se kisha vuajtur nga depresioni dhe problemet me gjumin që prej të tridhjetave, këto dyqane dhe produktet e tyre psikoaktive më zgjuan interesin.Lexo edhe:Merrni Ozempic apo Wegovy, por nuk dobësoheni? Shkencëtarët zbulojnë çfarë mund të fshihet pas këtij fenomeni Duke parë pas, kuptoj se kisha qenë gjithmonë më mendjehapur ndaj kanabisit sesa mjekët e tjerë të brezit tim. Nuk më kishte tërhequr ndonjëherë veçanërisht si drogë për përdorim rekreativ, por kisha ndjekur kërkimet farmakologjike që prej viteve 1980. Megjithëse këto kërkime ishin të kufizuara, pjesërisht për shkak të vështirësive për të kryer prova klinike me një substancë të kontrolluar, mendoja se kanabisi mund të ishte i dobishëm për disa sëmundje dhe gjendje shëndetësore, nga epilepsia te dhimbjet kronike, e ndoshta edhe për shëndetin tim mendor. Episodi im i parë, dhe mjaft i rëndë, i depresionit u shfaq krejt papritur një ditë të vitit 1987. Në atë kohë nuk arrija të identifikoja ndonjë shkak të dukshëm, megjithëse më vonë kuptova se mund të kishte lidhje me çrregullimin afektiv sezonal (SAD). Në ato vite, problemet e shëndetit mendor zakonisht mbaheshin të fshehta dhe mjekët njihen për faktin se nuk janë pacientë të mirë. Prandaj, e mbajta sëmundjen për vete, duke ia treguar vetëm bashkëshortes sime, Alison. Disi ia dolëm ta përballonim së bashku. Kisha shumë pak motivim dhe vura re se vrapimi dhe çiklizmi më ndihmonin, por vazhdoja të kisha vështirësi me gjumin dhe mendime që më mnin vazhdimisht. Nuk arrija t'i shihja gjërat në perspektivën e duhur dhe të kuptoja se problemet e vogla mund të kapërceheshin. Ndihesha i pafuqishëm. Me kalimin e viteve provova terapinë konjitive të sjelljes (CBT) dhe antidepresantin fluoksetinë, një lloj frenuesi selektiv i rimarrjes së serotoninës (SSRI). Ai ma përmirësoi ndjeshëm ankthin dhe humorin e rënduar, por shoqërohej me efekte anësore, si çrregullime të funksionit seksual, probleme me shikimin, migrenë dhe vështirësi me gjumin. Mendoja se ky ishte çmimi që duhej të paguaja për të trajtuar depresionin. Në kërkim të zgjidhjeve të reja Kur hyra atë ditë në dyqanin e ndriçuar me drita neoni, sigurisht që nuk po kërkoja të dehesha nga efektet e kanabisit. Isha thjesht kureshtar të shihja nëse ai mund të më ndihmonte. Fola me shitësen, një grua e re që qëndronte e qetë pas banakut, e veshur me pantallona të shkurtra, bluzë dhe shapka. Ajo nuk më dha ndonjë këshillë për simptomat e mia, por më shpjegoi gamën e produkteve që ofronin, nga karamelet xhelatinoze te cigaret e kanabisit të mbështjella paraprakisht dhe vajrat. Më sugjeroi të provoja një karamele xhelatinoze me THC përpara gjumit, sepse klientët zakonisht i konsideronin shumë qetësuese. Ishte njësoj si një karamele me shije frutash, me një shije paksa të hidhur që mbetej në gojë. Atë natë ndoqa udhëzimet e saj. E hëngra karamelen xhelatinoze me shije frutash tri orë përpara se të shkoja në shtrat dhe fjeta mirë, për herë të parë pas shumë vitesh, të paktën kështu m'u duk. Nuk u zgjova në orët e para të mëngjesit për të menduar pa pushim për gjëra që shumica e njerëzve do t'i konsideronin shqetësime të zakonshme, si takimet e ardhshme, punët që kisha në listën time dhe çështjet familjare. Humori m'u përmirësua. Çuditërisht, atë mbrëmje madje e shijova shumë më tepër shikimin e televizorit, sidomos reklamat, të cilat zakonisht më bezdisnin. Tani ndihesha aq i lumtur dhe i qetë, saqë më dukeshin mjaft argëtuese dhe e ndieja veten duke u çlodhur. Vazhdova t'i merrja karamelet xhelatinoze me THC gjatë gjithë qëndrimit tim dymujor në Florida. Jo vetëm që m'u përmirësuan gjumi dhe simptomat e depresionit, por edhe konsumi i alkoolit u ul. Kur ishim me pushime, shpesh pija diçka alkoolike për t'u çlodhur, por pasi fillova të merrja karamelet, nuk e ndieja më këtë nevojë. Pas gjithë atyre viteve të humbura, kisha gjetur një trajtim që funksiononte. Vazhdimi i trajtimit në Mbretërinë e Bashkuar Pasi u ktheva në shtëpi, në Leeds, iu drejtova Google për të kërkuar mundësitë që kisha. Në atë kohë, më kujtohej se kisha parë një lajm për prindër që bënin fushatë që fëmijët e tyre me epilepsi të kishin mundësi të trajtoheshin me kanabis në Britani. Një kërkim i shpejtë më çoi te Releaf, një klinikë kanabisi në internet, me seli në Londër, e cila ofronte konsulta me video dhe receta private të ligjshme. Përvoja ishte shumë ndryshe nga vizita ime në dyqanin e Floridës. Sapo rezervova konsultën në internet, të dhënat e mia mjekësore iu dërguan automatikisht mjekut specialist përmes një portali të NHS-së. Konsulta me një mjek të kualifikuar u zhvillua një javë më vonë. Diskutuam për simptomat e mia dhe përdorimin e kanabisit në Amerikë, ndërsa më pas ai më rekomandoi produktet dhe dozat. Mora një recetë private për një pajisje avullimi me THC, vaj kanabisi mjekësor që përmbante THC psikoaktive dhe karamele me kanabis, të ngjashme me ato që kisha përdorur në Florida. Nuk ishte e nevojshme të merrja kaq shumë produkte të ndryshme, por isha kureshtar të provoja disa prej tyre për të parë se cili funksiononte më mirë për mua. Furnizimi për një muaj kushtonte rreth 300 paund, por çmimi mund të përgjysmohej nëse përdorja vetëm një produkt. Tri ditë më vonë, një pako diskrete u dorëzua drejtpërdrejt në derën e shtëpisë sime nga kompania DPD. Dr. Blenkinsopp me disa nga produktet e kanabisit mjekësor që e kanë ndihmuar me gjumin dhe simptomat e depresionit. Pa karamelen time të mbrëmjes, gjumi ishte përkeqësuar shpejt. Sapo fillova të merrja sërish 0,7 ml vaj kanabisi ose një karamele xhelatinoze me THC gjatë natës, cilësia e gjumit u përmirësua ndjeshëm dhe menjëherë. Kanabisi më ndihmon shumë edhe me ankthin social, duke më bërë të ndihem më i qetë në shoqërinë e të tjerëve. Nuk e kisha kuptuar se sa shumë po ndikonte tek unë. Një dozë kanabisi në formën e luleve të thara, që merret përmes një pajisjeje avullimi, më duket po aq qetësuese sa një martini. Sa u përket mendimeve të tepërta, vura re përfitime mjaft delikate. Tani mund të mendoj për gjëra që në të kaluarën mund të më kishin shqetësuar, pa përjetuar dhimbje emocionale. Herë pas here, përdor kanabis edhe gjatë ditës, nëse ndiej se kam nevojë për ndihmë për të rregulluar gjendjen time emocionale. Për shembull, nëse jam duke punuar në kopsht, mund të bëj një pushim, të marr një dozë nga pajisja ime e avullimit dhe më pas të vazhdoj me krasitjen. Tani pi alkool shumë rrallë. Për momentin, kam vazhduar t'i marr antidepresantët krahas kanabisit mjekësor, nën mbikëqyrje klinike. Mund t'i ndërpres në të ardhmen, por po veproj ngadalë dhe, për momentin, kjo mënyrë trajtimi po funksionon mirë për mua. E informova mjekun tim të familjes për vendimin që kisha marrë për të provuar kanabisin mjekësor. Ai nuk pati shumë për të thënë, përveçse pranoi të më shkruante një letër mbështetëse, e cila më kushtoi 50 paund. Sigurisht që ka ende mjekë që e kanë të vështirë ta kuptojnë se kanabisi mund të ketë edhe anë pozitive, por unë e kuptoj plotësisht këtë. Nëse gjatë gjithë karrierës ke trajtuar vetëm njerëz që e kanë tepruar me përdorimin e tij ose që kanë përjetuar psikozë, kjo mund të ndikojë në mënyrën se si e sheh. Kohët e fundit publikova një video në Facebook dhe LinkedIn për përvojën time me depresionin dhe kanabisin, sepse nuk doja ta mbaja më të fshehtë. Kisha ndier shumë turp për depresionin tim, por në përgjithësi kam marrë vetëm reagime pozitive nga familjarët dhe miqtë. Për dekada të tëra kam luftuar me dhimbjen dhe kufizimet që sjell depresioni, edhe pse kam ndjekur terapi dhe kam marrë antidepresantë. Prova e asaj karameleje xhelatinoze në Florida ndryshoi gjithçka. Më parë zgjohesha çdo mëngjes me frikë, duke pyetur veten se çfarë dite do të kisha. Tani zgjohem duke e ditur se gjithçka është në rregull. Ka qenë diçka e jashtëzakonshme. Rrëfyer Ruby Deevoy-t. John Blenkinsopp, 70 vjeç, është mjek në pension i Shërbimit Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS) dhe studiues në fushën e farmakologjisë klinike./TheTelegraph

