Lajme Zone
Izraeli voton, por loja është më e madhe; çfarë fshihet pas betejës për Netanyahun?
PolitikëPamfleti

Izraeli voton, por loja është më e madhe; çfarë fshihet pas betejës për Netanyahun?

Revista amerikane TIME, në artikullin e gazetarit Eric Cortellessa, e trajton këtë përballje si një zgjedhje që shkon përtej emrit të kryeministrit. Në qendër të saj qëndron pyetja nëse Izraeli do të vazhdojë të mbështetet te aleanca mes së djathtës nacionaliste dhe partive fetare, apo do të krijojë një konfigurim tjetër politik, që mund të ndryshojë marrëdhënien mes qeverisë, institucioneve dhe shoqërisë.

Zgjedhjet në Izrael Zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit në Izrael nuk janë thjesht një referendum për Benjamin Netanyahun. Revista amerikane TIME e vendos këtë përballje në një kontekst më të gjerë, ku ndërthuren pasojat e luftës në Gaza, fuqizimi i nacionalizmit fetar, përplasja me institucionet dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Por problemi kryesor është se kundërshtarët e Netanyahut kërkojnë largimin e tij, pa pasur domosdoshmërisht një alternativë të përbashkët për konfliktin palestinez dhe të ardhmen politike të Izraelit... Izraeli shkon në zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit pas një periudhe që ka ndryshuar jo vetëm raportin e tij me palestinezët dhe botën arabe, por edhe ekuilibrat e brendshëm politikë. Benjamin Netanyahu, njeriu që ka drejtuar vendin më gjatë se çdo kryeministër tjetër, kërkon të ruajë pushtetin pas luftës në Gaza, ndërsa kundërshtarët e tij përpiqen të ndërtojnë një shumicë parlamentare që do ta largonte nga drejtimi i qeverisë.

Revista amerikane TIME, në artikullin e gazetarit Eric Cortellessa, e trajton këtë përballje si një zgjedhje që shkon përtej emrit të kryeministrit. Në qendër të saj qëndron pyetja nëse Izraeli do të vazhdojë të mbështetet te aleanca mes së djathtës nacionaliste dhe partive fetare, apo do të krijojë një konfigurim tjetër politik, që mund të ndryshojë marrëdhënien mes qeverisë, institucioneve dhe shoqërisë.

Në pamje të parë, kjo duket si një garë mes Netanyahut dhe kundërshtarëve të tij. Por në të vërtetë, problemi është më i ndërlikuar. Sepse në Izrael ekziston një opozitë e konsiderueshme ndaj kryeministrit, ndërsa nuk ekziston i njëjti konsensus për ndryshimin e politikës ndaj palestinezëve, për të ardhmen e Bregut Perëndimor dhe për mënyrën se si duhet të përfjë konflikti në Gaza.

Kjo është edhe kontradikta që përshkon analizën e TIME. Një qeveri pa Netanyahun mund të ndryshojë drejtimin e institucioneve dhe mënyrën e ushtrimit të pushtetit, por nuk garanton automatikisht një politikë tjetër ndaj territoreve palestineze.

Netanyahu dhe problemi i pushtetit pas 7 tetorit

Benjamin Netanyahu e ka ndërtuar një pjesë të madhe të karrierës së tij politike mbi premtimin se mund të garantojë sigurinë e Izraelit. Për dekada, ai e ka paraqitur veten si drejtuesin që mund të përballojë kërcënimet nga Hamasi, Hezbollahu dhe Irani, duke ruajtur njëkohësisht mbështetjen strategjike të Shteteve të Bashkuara.

Por sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 goditi pikërisht argumentin mbi të cilin Netanyahu kishte ndërtuar autoritetin e tij politik. Atë ditë, militantët e Hamasit dhe grupeve të tjera palestineze sulmuan komunitete dhe instalime ushtarake në jug të Izraelit, vranë rreth 1200 persona dhe morën 251 pengje. Sulmi nxori në pah dështime të rënda të sistemit të sigurisë dhe të strukturave të inteligjencës.

Netanyahu ishte kryeministër në momentin e sulmit. Për këtë arsye, kundërshtarët e tij i kërkojnë përgjegjësi politike për mënyrën se si qeveria kishte vlerësuar kërcënimin nga Gaza dhe për vendimet që i paraprinë 7 tetorit. Megjithatë, lufta që pasoi krijoi edhe një situatë tjetër. Qeveria e Netanyahut e zhvendosi debatin publik drejt operacioneve ushtarake, lirimit të pengjeve dhe neutralizimit të kapaciteteve të Hamasit. Për një pjesë të elektoratit izraelit, këto objektiva vazhduan të kishin përparësi ndaj debatit për përgjegjësitë e kryeministrit.

Në Gaza, ndërkohë, operacionet izraelite shkaktuan shkatërrime masive dhe një numër shumë të lartë viktimash palestineze. TIME citon shifra që arrijnë në afro 75 mijë të vrarë palestinezë deri në prag të zgjedhjeve, në një konflikt që ka shkaktuar edhe zhvendosjen e pjesës dërrmuese të popullsisë së territorit.

Këto zhvillime e kanë vendosur Izraelin përballë kritikave ndërkombëtare dhe procedurave gjyqësore që lidhen me mënyrën e zhvillimit të luftës. Por brenda Izraelit, debati për Gazën nuk zhvillohet në të njëjtat terma me debatin ndërkombëtar. Një pjesë e shoqërisë izraelite vazhdon ta shohë konfliktin kryesisht përmes traumës së 7 tetorit, sigurisë kombëtare dhe rrezikut të sulmeve të reja.

Kjo ndarje i ka dhënë Netanyahut mundësinë të vazhdojë betejën politike, pavarësisht kritikave për dështimin e sigurisë dhe pasojat e luftës. Katër skenarët pas zgjedhjeve në Izrael; si mund ta humbasë Netanyahu shumicën, por të mbajë pushtetin

27 Tetor, 15:41 Gadi Eisenkot, gjenerali që kërkon të ndryshojë qeverinë

Një nga figurat që TIME vendos në qendër të analizës është Gadi Eisenkot, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite dhe një nga kundërshtarët politikë të Netanyahut.

Eisenkot nuk vjen nga një traditë politike që e kundërshton rolin e ushtrisë apo përdorimin e forcës kundër organizatave të armatosura palestineze. Përkundrazi, karriera e tij lidhet drejtpërdrejt me institucionet e sigurisë dhe me operacionet ushtarake të Izraelit.

Por pikërisht kjo përvojë e lejon të kundërshtojë Netanyahun nga një pozicion tjetër, duke vënë në diskutim mënyrën e drejtimit të shtetit, marrëdhënien mes qeverisë dhe institucioneve të sigurisë, si dhe përgjegjësinë politike për vendimet që sollën krizën e 7 tetorit.

Eisenkot ka humbur djalin e tij, Gal, gjatë luftimeve në Gaza, ndërsa një nip i tij u vra gjithashtu në luftë. Këto humbje personale kanë qenë pjesë e profilit të tij publik, por nuk përbëjnë në vetvete një program politik.

Në intervistën për TIME, ai e lidh garën zgjedhore me identitetin e ardhshëm të Izraelit. Sipas tij, çështja nuk është vetëm se kush do të jetë kryeministër, por se çfarë shteti do të ndërtojnë izraelitët gjatë dhjetë apo njëzet viteve të ardhshme.

Këtu qëndron dallimi mes tij dhe Netanyahut në debatin e brendshëm. Eisenkot kërkon rikthimin e besimit te institucionet dhe një mënyrë tjetër të qeverisjes, ndërsa Netanyahu mbështetet te përvoja e tij politike dhe te argumenti se vendi ka nevojë për vazhdimësi në drejtimin e sigurisë.

Por njëkohësisht duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Eisenkot nuk përfaqëson domosdoshmërisht një kthesë të plotë të Izraelit drejt një zgjidhjeje politike të konfliktit palestinez. Qëndrimet e tij për sigurinë dhe kontrollin e territoreve nuk përputhen në çdo aspekt me kërkesat palestineze për shtetësi dhe sovranitet.

Pra, përballja mes Netanyahut dhe Eisenkotit nuk mund të interpretohet si një garë e thjeshtë mes luftës dhe paqes. Ajo lidhet edhe me mënyrën se si dy figura të establishmentit izraelit e konceptojnë ushtrimin e pushtetit.

Opozita kërkon largimin e Netanyahut, por nuk ka një program të përbashkët

Problemi i opozitës izraelite nuk është vetëm numri i votave që mund të marrë. Ai lidhet me ndarjet politike mes partive që kundërshtojnë Netanyahun.

Naftali Bennett, ish-kryeministër dhe politikan i së djathtës, ka një histori të gjatë qëndrimesh nacionaliste ndaj çështjes palestineze. Yair Lapid përfaqëson një orientim më të qendrës, ndërsa Avigdor Lieberman mbështetet te një platformë nacionaliste dhe laike, me qëndrime të ashpra për sigurinë.

Këta politikanë mund të bashkohen në kundërshtimin e Netanyahut, por kjo nuk do të thotë se ndajnë të njëjtën pikëpamje për Bregun Perëndimor, vendbanimet izraelite, rolin e partive fetare apo marrëdhëniet me përfaqësuesit politikë të qytetarëve arabë.

Këtu hyn në lojë edhe sistemi parlamentar izraelit.

Knesseti ka 120 deputetë dhe një qeveri ka nevojë për mbështetjen e një shumice prej të paktën 61 mandatesh. Për shkak të fragmentimit të partive, krijimi i një qeverie kërkon negociata dhe marrëveshje mes forcave që shpesh kanë programe të ndryshme.

Izraeli zhvilloi pesë palë zgjedhje nga viti 2019 deri në vitin 2022, pikërisht për shkak të krizave politike dhe vështirësive për të krijuar shumica të qëndrueshme. Në vitin 2021, Bennett dhe Lapid arritën të ndërtonin një koalicion që e largoi Netanyahun përkohësisht nga pushteti. Në atë qeveri mori pjesë edhe një parti arabe, një zhvillim i rëndësishëm në historinë politike të Izraelit.

Por koalicioni nuk arriti të ruante shumicën dhe vendi shkoi sërish në zgjedhje në vitin 2022, kur Netanyahu u rikthye në krye të qeverisë. Kjo përvojë tregon se bashkimi kundër një kryeministri nuk garanton qëndrueshmërinë e qeverisë që e zëvendëson.

Edhe në zgjedhjet e 27 tetorit, partitë opozitare duhet të zgjidhin një problem konkret: a mund të ndërtojnë një shumicë që përfshin forca të djathta, të qendrës dhe përfaqësues arabë, pa u përplasur menjëherë për çështjet që lidhen me territorin, sigurinë dhe identitetin e shtetit?

Nëse nuk arrijnë një marrëveshje, rezultati zgjedhor mund të prodhojë një tjetër periudhë negociatash dhe pasigurie parlamentare.

Nacionalistët fetarë dhe kufijtë e pushtetit të Netanyahut

Një nga çështjet më të rëndësishme të analizës së TIME është marrëdhënia e Netanyahut me partitë e së djathtës ekstreme. Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich kanë mbajtur role të rëndësishme në koalicionin qeveritar dhe kanë kërkuar zgjerimin e kontrollit izraelit mbi territoret palestineze.

Smotrich ka mbështetur aneksimin e Bregut Perëndimor, ndërsa Ben-Gvir ka kërkuar politika më të ashpra ndaj palestinezëve dhe ka mbrojtur rikthimin e vendbanimeve izraelite në Gaza.

Këto qëndrime nuk janë thjesht deklarata elektorale. Ato lidhen me një projekt politik që synon zgjerimin e sovranitetit izraelit mbi territoret e pushtuara dhe kufizimin e perspektivës së krijimit të një shteti palestinez. Për Netanyahun, bashkëpunimi me këto parti ka qenë një mënyrë për të siguruar shumicën parlamentare. Por e njëjta aleancë i ka krijuar vështirësi në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

TIME raporton se dy burime të njohura me mendimet e kryeministrit kanë përmendur preferencën e tij për një qeveri uniteti me Eisenkotin, në vend të një koalicioni tjetër të varur nga Ben-Gvir dhe Smotrich.

Megjithatë, skenari nxjerr në pah një kontradiktë. Netanyahu ka nevojë për mbështetjen e nacionalistëve fetarë për të ruajtur shumicën aktuale, por kërkesat e tyre mund t'ia kufizojnë mundësinë për të negociuar marrëveshje rajonale dhe ndërkombëtare.

Në këtë kuptim, zgjedhjet do të përcaktojnë jo vetëm raportin mes Netanyahut dhe opozitës, por edhe peshën që partitë nacionaliste fetare do të kenë në qeverinë e ardhshme.

Izraeli përballë konfliktit mes shtetit laik dhe nacionalizmit fetar

Një tjetër ndarje që TIME evidenton është ajo mes izraelitëve laikë dhe grupeve fetare, sidomos për çështjen e shërbimit ushtarak.

Në Izrael, shërbimi ushtarak përbën një detyrim për pjesën më të madhe të qytetarëve hebrenj, ndërsa komunitetet ultraortodokse kanë përfituar historikisht përjashtime për studentët e institucioneve fetare.

Lufta në Gaza e ka rikthyer këtë çështje në qendër të debatit. Familjet që kanë dërguar fëmijët në ushtri kërkojnë që detyrimet të shpërndahen në mënyrë më të barabartë, ndërsa partitë ultraortodokse mbrojnë statusin e komuniteteve të tyre. Kjo përplasje ka pasoja të drejtpërdrejta për krijimin e qeverisë, sepse partitë fetare kanë qenë pjesë e rëndësishme e koalicioneve të Netanyahut.

Por konflikti shkon edhe më tej. Në vitin 2023, qeveria e Netanyahut ndërmori një reformë për të kufizuar kompetencat e Gjykatës Supreme. Kundërshtarët e reformës organizuan protesta masive, duke argumentuar se ndryshimet do të dobësonin kontrollin gjyqësor mbi pushtetin ekzekutiv.

Përplasja nxori në sipërfaqe dy koncepte të ndryshme për shtetin. Njëri kërkon që shumica parlamentare të ketë hapësirë më të madhe për të zbatuar programin e saj. Tjetri kërkon që institucionet gjyqësore të ruajnë kompetenca të forta për të kontrolluar vendimet e qeverisë.

Për këtë arsye, zgjedhjet kanë rëndësi edhe për funksionimin e demokracisë izraelite. Koalicioni që do të krijohet pas votimit do të ndikojë drejtpërdrejt në raportin mes qeverisë, parlamentit dhe Gjykatës Supreme.

Një shoqëri që mendon edhe largimin nga Izraeli

Në analizën e TIME, një nga të dhënat më domethënëse lidhet me shqetësimin e qytetarëve për të ardhmen e vendit.

Sipas një sondazhi të Institutit Agam dhe Universitetit Hebraik të Jerusalemit, 59% e të anketuarve i konsiderojnë kërcënimet e brendshme më të mëdha se ato të jashtme. Ndërsa 64% deklaruan se po shqyrtonin mundësinë e largimit nga Izraeli për shkak të pasigurisë, kostos së jetesës dhe paqëndrueshmërisë politike.

Këto shifra nuk provojnë se një pjesë e tillë e popullsisë do të emigrojë. Ato tregojnë, megjithatë, se debati politik ka prekur edhe besimin e qytetarëve te perspektiva e jetesës në vend. Kjo ka rëndësi të veçantë për Izraelin, një shtet që u themelua në vitin 1948 si atdhe kombëtar për popullin hebre, pas përndjekjeve historike dhe Holokaustit.

Sot, një pjesë e qytetarëve që kanë ndërtuar jetën në Izrael po diskutojnë mundësinë e largimit për arsye që lidhen me politikën e brendshme, sigurinë dhe ekonominë. TIME evidenton edhe një kontradiktë tjetër. Ndërsa disa izraelitë mendojnë të largohen, rritja e antisemitizmit në vende të ndryshme ua ndërlikon zgjedhjen e një destinacioni tjetër.

Kjo situatë krijon një debat që nuk kufizohet te emigracioni. Ajo prek marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit, besimin te institucionet dhe pritshmëritë për të ardhmen.

Trump, Gaza dhe kufijtë e diplomacisë izraelite

Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është një tjetër element që ndikon në llogaritë politike të Netanyahut.

Kryeministri izraelit ka ndërtuar gjatë karrierës së tij lidhje të forta me administratat amerikane, ndërsa raporti me Donald Trump ka pasur rëndësi të veçantë për politikat rajonale të Izraelit.

Por mbështetja amerikane nuk e eliminon përplasjen mes objektivave të qeverisë izraelite dhe kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë.

TIME rikujton se Netanyahu ka pranuar gjatë karrierës së tij marrëveshje dhe kompromise që kanë shkaktuar kundërshtime brenda së djathtës izraelite. Mes tyre përfshihen Memorandumi i Wye River në vitin 1998, qëndrimet e tij për zgjidhjen me dy shtete dhe marrëveshjet për armëpushimin e shkëmbimin e pengjeve në Gaza.

Këto raste tregojnë se Netanyahu nuk ka ndjekur gjithmonë të njëjtën linjë me partnerët e tij më radikalë. Përkundrazi, ai ka ndryshuar qëndrime në varësi të marrëdhënieve me Uashingtonin, negociatave rajonale dhe nevojës për të ruajtur shumicën parlamentare.

Kjo është edhe një nga arsyet pse nacionalistët fetarë kërkojnë të kenë peshë të drejtpërdrejtë në qeverinë e ardhshme. Ata nuk duan që Netanyahu të negociojë marrëveshje që do të kufizonin zgjerimin e kontrollit izraelit mbi territoret palestineze. Në këtë mënyrë, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara lidhet drejtpërdrejt me përbërjen e koalicionit qeveritar. Një kabinet i varur nga partitë e Ben-Gvirit dhe Smotrichit do të kishte kufizime të tjera politike nga një qeveri uniteti që përfshin forca të qendrës.

Por as një ndryshim koalicioni nuk do të zgjidhte automatikisht çështjen palestineze. Për këtë do të nevojiteshin vendime konkrete për Gazën, Bregun Perëndimor dhe perspektivën e krijimit të një shteti palestinez.

Dy Izraele që nuk e shohin njësoj luftën

Një nga pjesët më interesante të analizës në revistën TIME është ajo nga vendbanimi izraelit Neve Daniel, në Bregun Perëndimor. Gazetari Eric Cortellessa bisedon me banorë që mbështesin parti të ndryshme të së djathtës, por që ndajnë një kërkesë të përbashkët: qeveria e ardhshme duhet të ruajë kontrollin izraelit mbi territoret palestineze dhe të mos pranojë kompromise që ata i konsiderojnë rrezik për sigurinë.

Një prej tyre, Barak Moore, mbështet partinë nacionaliste Zehut. Një tjetër, Avi Abelow, mbështet Likud-in e Netanyahut, por kritikon qeverinë se nuk ka ndërmarrë masa edhe më të ashpra në Gaza. Ndërsa Hershey Kellner, një i ri ortodoks, mbështet partinë Otzma Yehudit të Itamar Ben-Gvirit.

Këto dëshmi nuk përfaqësojnë të gjithë elektoratin izraelit. Ato dokumentojnë, megjithatë, presionin që një pjesë e së djathtës ushtron ndaj Netanyahut. Për këta votues, problemi nuk është se qeveria ka përdorur shumë forcë në Gaza, por se nuk ka shkuar mjaftueshëm larg në realizimin e objektivave të tyre territoriale dhe ushtarake. Në anën tjetër qëndrojnë qytetarë që kërkojnë ndryshimin e qeverisë, forcimin e institucioneve dhe uljen e tensioneve të brendshme.

TIME sjell dëshminë e Livna Savir, 72 vjeçe, e cila merr pjesë në një tubim të Eisenkotit dhe e sheh atë si mundësi për ndryshimin e drejtimit politik. Ajo flet edhe për pasojat që tre vitet e luftës kanë pasur mbi familjet izraelite.

Këto dy qëndrime tregojnë se shoqëria izraelite nuk është e ndarë vetëm për emrin e kryeministrit. Ndarja lidhet me mënyrën se si qytetarët e konceptojnë sigurinë, demokracinë, territorin dhe marrëdhënien me palestinezët.

Në këtë përballje, Netanyahu përpiqet të ruajë mbështetjen e votuesve që e konsiderojnë përvojën e tij në siguri dhe diplomaci një argument për vazhdimësinë e qeverisjes. Ndërsa kundërshtarët e tij kërkojnë ta lidhin ndryshimin e qeverisë me përgjegjësinë për 7 tetorin, krizën institucionale dhe pasojat e luftës.

A do të ndryshojë Izraeli pas këtyre zgjedhjeve?

Në fund, problemi i zgjedhjeve izraelite nuk është vetëm se kush do të marrë mandatin për të krijuar qeverinë.

Sistemi parlamentar i jep rëndësi vendimtare marrëveshjeve mes partive. Një forcë politike mund të marrë numrin më të madh të mandateve, por të mos arrijë të krijojë shumicën e nevojshme. Për këtë arsye, rezultati i votimit dhe përbërja e qeverisë janë dy faza të ndryshme të procesit politik.

Netanyahu mund të kërkojë një koalicion tjetër të së djathtës ose një marrëveshje më të gjerë. Eisenkot dhe drejtuesit e tjerë të opozitës mund të negociojnë krijimin e një shumice pa Netanyahun. Nëse asnjëra palë nuk siguron mbështetjen parlamentare, vendi mund të përballet me një krizë tjetër qeveritare.

Por pavarësisht se kush do ta drejtojë kabinetin e ardhshëm, çështjet që kanë ndarë politikën izraelite mbeten të njëjtat.

A do të vazhdojë zgjerimi i vendbanimeve në Bregun Perëndimor? Çfarë statusi do të ketë Gaza? Si do të rregullohet marrëdhënia mes partive fetare dhe institucioneve laike? Çfarë përgjegjësie politike do të mbajnë drejtuesit për dështimet e 7 tetorit? Dhe mbi të gjitha, a do të krijojë qeveria e ardhshme një perspektivë politike për konfliktin me palestinezët? Këto pyetje nuk marrin përgjigje vetëm nga largimi ose qëndrimi i Netanyahut.

Analiza e TIME nxjerr në pah pikërisht këtë dallim. Benjamin Netanyahu ka dominuar politikën izraelite për gati tri dekada, duke ndërtuar aleanca, duke mbijetuar pas krizave parlamentare dhe duke u rikthyer në pushtet edhe pas humbjeve.

Por modeli politik që ka shoqëruar qeverisjen e tij nuk mbështetet vetëm te një individ. Ai lidhet me partitë nacionaliste, institucionet e sigurisë, konfliktin territorial dhe ndarjet e thella brenda shoqërisë.

Për këtë arsye, zgjedhjet e 27 tetorit nuk mund të lexohen thjesht si përballje mes Netanyahut dhe Eisenkotit.

Ato do të përcaktojnë se cilat parti do të kontrollojnë qeverinë dhe sa ndikim do të kenë nacionalistët fetarë në vendimmarrje. Por ndryshimi i kursit të shtetit izraelit do të varet nga marrëveshjet konkrete që partitë do të arrijnë për institucionet, sigurinë dhe çështjen palestineze.

Izraeli mund të ndryshojë kryeministrin pa ndryshuar politikën ndaj palestinezëve. Mund të krijojë një qeveri uniteti pa zgjidhur konfliktet mes laikëve dhe partive fetare. Mund të ruajë Netanyahun në pushtet, por me një koalicion tjetër nga ai që ka drejtuar vendin gjatë luftës.

Kjo është edhe çështja që mbetet e hapur në prag të votimit: jo vetëm nëse sistemi politik izraelit mund të prodhojë një qeveri pa Benjamin Netanyahun, por nëse partitë që kërkojnë largimin e tij kanë një marrëveshje për atë që do të bëjnë më pas. /Përshtati Pamfleti/ izrael zgjedhje netanyahu Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Televizioni publik serb kërkon falje pas ikjes së Vuçiç: Heshtëm, bëmë një sy qorr dhe nuk thamë të vërtetën 27 Tetor 2026, 14:1314:13Rajoni dhe Bota Izraeli thyen rekordin e pjesëmarrjes në votime, Eisenkot: Netanyahu po përgatit mosnjohjen e rezultatit! 27 Tetor 2026, 14:1414:14Rajoni dhe Bota Operacion i madh policor në Stamboll, 68 urdhër-arreste; mes 37 të ndaluarve edhe zyrtarë të lartë bashkiakë 27 Tetor 2026, 13:4713:47Rajoni dhe Bota Trump premton 1 milion dollarë shpërblim për ata që raportojnë mashtrime me votat 27 Tetor 2026, 13:2913:29Rajoni dhe Bota Netanyahu nis manovrat: Po na vjedhin zgjedhjet! 27 Tetor 2026, 13:2613:26Rajoni dhe Bota Incident gjatë zgjedhjeve në Izrael, arrestohet një person me thikë pranë liderit të opozitës 27 Tetor 2026, 13:1313:13Rajoni dhe Bota