Lajme Zone
Izraeli në gatishmëri të lartë për luftë të re me Iranin, Trump shqyrton sulm disa-ditor, SHBA dërgon municione në Lindjen e Mesme
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Izraeli në gatishmëri të lartë për luftë të re me Iranin, Trump shqyrton sulm disa-ditor, SHBA dërgon municione në Lindjen e Mesme

Ushtria izraelite është vënë në gatishmëri të lartë, në pritje të mundësisë së rinisjes së përplasjeve ushtarake me Iranin. Sipas vlerësimeve të transmetuara nga televizioni izraelit Channel 13, niveli i alarmit mund të rritet drejt fundit të javës së ardhshme, në një periudhë që përkon me zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara, të planifikuara për të martën. Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave amerikane, presidenti Donald Trump ka zhvilluar një takim me zyrtarë të lartë ushtarakë, të cilët e kanë informuar mbi opsionet për një sulm të mundshëm në shkallë të gjerë ndaj Iranit. Skenari i diskutuar parashikon një operacion ushtarak që mund të zgjasë disa ditë.

Ushtria izraelite është vënë në gatishmëri të lartë, në pritje të mundësisë së rinisjes së përplasjeve ushtarake me Iranin. Sipas vlerësimeve të transmetuara nga televizioni izraelit Channel 13, niveli i alarmit mund të rritet drejt fundit të javës së ardhshme, në një periudhë që përkon me zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara, të planifikuara për të martën. Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave amerikane, presidenti Donald Trump ka zhvilluar një takim me zyrtarë të lartë ushtarakë, të cilët e kanë informuar mbi opsionet për një sulm të mundshëm në shkallë të gjerë ndaj Iranit. Skenari i diskutuar parashikon një operacion ushtarak që mund të zgjasë disa ditë. Në ditët e fundit është intensifikuar edhe transporti ajror amerikan drejt Izraelit dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme. Sipas raportimeve, me këto fluturime po dërgohen sasi të mëdha municionesh dhe raketash interceptuese, në kuadër të përgatitjeve për çdo përshkallëzim të mundshëm. Megjithatë, situata mbetet e paqartë, pasi që nga prilli i kaluar Trump e ka vendosur disa herë Komandën Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) në gatishmëri të lartë, pa kaluar më pas në zbatimin e kërcënimeve për sulme ndaj Iranit. Izraeli kërkon të shmangë përshkallëzimin para zgjedhjeve në SHBA

Sipas Channel 13, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Izraelit, Eyal Zamir, ka zhvilluar javët e fundit përpjekje intensive në prapaskenë për të shmangur një përballje të re ushtarake me Iranin përpara zgjedhjeve amerikane. Synimi i tij, sipas raportimit, ka qenë që Izraeli të arrijë ditën e zgjedhjeve pa u përballur me sulme raketore iraniane, duke shmangur kështu një konfrontim që mund të ndikojë edhe në funksionimin normal të jetës politike dhe institucionale në vend. Paralelisht me përgatitjet ushtarake, Uashingtoni po përpiqet të gjejë një zgjidhje diplomatike. Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Teheranit një propozim që është cilësuar si “përfundimtar”, por sipas informacioneve të raportuara, pala iraniane nuk ka shfaqur gatishmëri për të pranuar një marrëveshje. Televizioni amerikan CBS raportoi se ndërmjetësues nga Katari kanë mbërritur në Iran, duke sjellë një draft të përditësuar të propozimit diplomatik për t’i dhënë fund luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Ndërkohë, The New York Times raportoi se zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i ka dërguar një letër Mohsen Rezaeit, kryetarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, ku ka propozuar të drejtojë personalisht ekipin negociator amerikan në bisedimet me Teheranin. Në këtë komunikim, Vance ka theksuar se zgjidhja e çështjes bërthamore është kusht i domosdoshëm për çdo marrëveshje, duke këmbëngulur që programi bërthamor i Iranit të jetë pjesë qendrore e negociatave. Nëse Teherani pranon propozimin amerikan, bisedimet do të mund të nisin zyrtarisht. Deri atëherë, përballë përpjekjeve diplomatike, ushtria izraelite dhe forcat amerikane mbeten në gatishmëri për një përshkallëzim të mundshëm në rajon. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Ushtria izraelite